EKSKLUZIVE
Liria me trajner nga Italia!
9 November, 2018 @16:00
Skuadra e Lirisë së Prizrenit po synon t’i shmanget krizës së rezultateve me anë të ndryshimeve në shtabin teknik. Drejtuesit e klubit bardhezi kanë arritur marrëveshje me një trajner italian, i cili tashmë ka ardhë në Prizren, ndërsa zyrtarizimi i tij pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme.
Kush është Vincenzo Alberto Annese?
Timonieri i ri i Lirisë që nga viti 2010 po e ushtron profesionin e trajnerit dhe ka licencën PRO të UEFA-së për trajner.
Annese së fundi ka drejtuar skuadrën nga Indonezia, PSIS Semarang, me të cilën gjatë periudhës mars-gusht të këtij viti ka drejtuar 19 ndeshje, duke regjistruar 5 fitore, 5 barazime dhe 9 humbje.
Ai gjithashtu ka qenë kryetrajner edhe te skuadrat JFK Saldus (Letonia), Bechem United (Gana) dhe Al Khaleel (Palestina), ndërsa përveçse ka ushtruar edhe detyrat si ndihmëstrajner dhe trajner kondicional me skuadra të tjera, ai për një kohë ka qenë edhe trajner teknik i përfaqësueses U19 të Armenisë. Ardhja te Liria, do të thotë kthimi i tij në Europë gati pas dy vitesh.
Deri më tani skuadrën e Lirisë e ka drejtuar trajneri Gëzim Hasi, i cili erdhi në vend të Bedridin Gjinalit të larguar gjatë këtij stinori.
Liria aktualisht gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, me 4 fitore, 1 barazim dhe 9 humbje, ndërsa këtë javë do të ndeshet me skuadrën e Flamurtarit.