TREPÇA89-GJILANI

Erë kampioni në Mitrovicë
5 May, 2017 @18:24
Super ndeshje e zhvilluar sot në Riza Lushta të Mitrovicës. E përfunduar me goleadë, me një trepikësh tjetër të Trepçës’89, që tashmë sjell aromë kampioni në Mitrovicë.
Dilemat për fituesin e ndeshjes u shuan heret. Florent Hasani (asisti për golin e parë, Shpëtim Idrizi; asisti për golin e dytë, Fiton Hajdari) realizoi dy herë brenda 12 minutave të para të lojës dhe çoi në festë tribunat në Riza Lushta, derisa Trepça’89 shkoi me hapa të qarta drejt fitores së radhës në Superligë, të 22-tës në total, për të tubuar 71 pikë dhe për t’i ikur Prishtinës që ka një ndeshje për të zhvilluar, 11 pikë.
Isa Eminhaziri uli epërsinë e vendasve me golin e tij nga penalltia në pjesë të parë. Por, dramë në stadium për rezultatin përfundimtar dhe fituesin e ndeshjes nuk kishte.
Trepça’89 e drejtuar nga Zekirija Ramadani ka vazhduar furrishëm duke shënuar përmes qendërmbrojtësit Lapidar Lladrovci (goli i parë i tij për Trepçën’89 prej se erdhi nga Feronikeli). Lladrovci shënoi me kokë pas asistimit të kapitenit maestral të mitrovicasve, Shpëtim Idrizi.
Në pjesë të dytë, Oto John shënon në minutën e 51-të dhe qartëson fituesin e ndeshjes, pasi që rezultati arrin në 4-1 për ekipin mitrovicas, ndërsa më pas Përparim Islami me një gol maestral bën Mitrovicën të festojë me 5-1.
Deri në fund të ndeshjes, Egzon Shabani i Gjilanit shënoi për përfundimtaren 5-2, kur të dyja ekipet kishin mbetur me nga 10 lojtarë në fushë.
Ilir Izmaku ishte përjashtuar nga ndeshja në minutën e 58 të takimit pas dy kartonave të verdhë. Ndërsa njejtë, në minutën e 75, doli edhe Isa Eminhaziri i Gjilanit.
Trepça’89 pas kësaj ndeshjeje ka 71 pikë dhe në mesjavën që vjen udhëton në Shahin Haxhiislami të Pejës për duel ndaj Besës. Ndërsa Gjilani që ka mbetur në mes të klasifikimit pret Drenicën në mesjavë.