PARA FILLIMIT
Fillon Serie A, a ndalet Juventusi?!
Shkruan: Luan MORINA
20 August, 2016 @18:19
Për dominimin e Juventusit së paku sezonin e kaluar mund të fajësojmë trajnerët e Romës dhe Interit, si dhe mungesën e gjerësisë së ekipit të Napolit. Por, para këtyre duhet të fajësojmë kualitetin jashtëzakonisht superior në krahasim me ekipet tjera të Serie A të Juventusit.
LIGA E KAMPIONËVE SYNIM?
Ashiqare Juventusit i intereson Liga e Kampionëve! Kanë gjithçka që duhet të arrijnë, por zor se do ta arrijnë. Dhe kryerja e punëve në shtëpi nuk ju ndihmon, nuk ju ka ndihmuar dy vitet e kaluara. Në letër kanë njërën nga përbërjet më të mira në Evropë. Kanë bërë transferime të mençura duke mbuluar largimet me opsione shumë më të mira.
Derisa për Itali, Higuain e Pjanic janë super-yje, ata nuk mjaftojnë për tituj evropian. E në Itali do të jetë punë më e lehtë.
DE BOER E SPALLETI
Punën Juventusit i kanë lehtësuar Roberto Mancini e Rudi Garcia. Tashti të dy janë histori dhe në vend të tyre kemi Frank De Boer e Luciano Spalleti. Qeli ka një epërsi për shkak se njeh futbollin italian, ka qenë në Roma më herët, e edhe nis sezonin para De Boer. Pra, në rast se do të konsideronim këto dy ekipe për pozitën e dytë, atëherë Roma do të duhej të kishte një përparësi. Por, nuk guxojnë të gjejnë veten në rehatinë e vitit të kaluar kur Interi keqmenaxhohej. Nuk janë kushedi sa më të mirë këtë sezon, por as nuk janë për titull. Pozita e tretë do të duhej të jetë synim real për Interin.
NAPOLI, FIORENTINA E LAZIO
Napolin nuk e shoh në tri të parat. Vitin e kaluar kanë pasur arsyet e lartpërmendura pse kanë përfunduar aty ku kanë përfunduar. Nuk kanë bërë ndryshime të mjaftueshme. Milik nuk mund të prodhoj aq gola sa kishte Higuain vitin e kaluar, e në këtë drejtim s’do ti ndihmoj as Maradona.
Fiorentina e Lazio po ndjekin strategjinë e viteve të kaluara duke tentuar të marrin talente në Spanjë dhe Beneluks për të gjetur rrugën në Evropë. E Milano, dhe fansat e tyre do të presin vitin e ri si asnjë vit në dekadën e fundit. Atëherë me largimin e Gallianit dhe një strategji ndoshta më të mençur mund të gjejnë Evropën.
TJERAT
Crotone, Chievo, Palermo, Cagliari do të duhej të luftonin për mbijetesë. Edhe Pescara nuk ka ndonjë përparësi, por varet si do të menaxhoj Massimo Oddo këtë ekip. Të tjerat janë aty sa për të prishur punë.
Me kinezët në qytetin e Milanos dhe amerikanët në kryeqytet, ndoshta Serie A mund të gjej shkëlqimin e të ‘90tave, edhe pse një gjë e tillë me njerëz si Lotito e Zamparini duket absurde.