LLAPI - PRISHTINA
Fitore në Podujevë, Prishtina merr kreun
2 May, 2021 @16:54
Katër xhiro para përfundimit të kampionatit, Superliga e Kosovës në futboll ka një lider të ri.
Këtë epitet sot e mori skuadra e Prishtinës, pas fitores 1-3 (Adonis Aliu 19’ / Gauthier Mankenda 15’, Leotrim Bekteshi 40’, Oto John 64’) ndaj Llapit në Podujevë.
Ndeshja filloi mjaft mirë për të drejtuarit nga Zekirija Ramadani, që golin e epërsisë e gjeti në minutën e 15’ përmes Gauthier Mankendës, i cili u asistua nga Sabien Lilaj. Megjithatë, vendasit reaguan shpejt, duke barazuar përmes Adonis Aliut katër minuta më vonë.
E shifrat mbeten të barabarta deri në minutën e 40’, kur Leotrim Bekteshi shënoi për 1-2 pas asistimit nga Mërgim Pefqeli.
Më vonë gjatë pjesës së dytë, golin e sigurisë për Prishtinën e shënoi Oto John, i sapo rikthyer nga lëndimi, e pas këtij goli më rrjetat nuk u prekën dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 1-3.
Fitorja e shënuar sot në Podujevë dhe humbja e Ballkanit nga Drenica bëjnë që Prishtina tashmë të jetë lidere e Superligës kur kanë mbetur edhe 4 xhiro deri në fund të kampionatit.
Për ta fituar titullin, tashmë gjithçka është në dorën e Prishtinës, ndërkohë që Llapi synon ta mbyllë sezonin me fitimin e Kupës së Kosovës dhe rrjedhimisht daljen në Evropë.