DRENICA - BALLKANI
Ballkani mposhtet në Skenderaj, lëshon kreun e tabelës
2 May, 2021 @16:55
S’ka fitore për Ballkanin në Skenderaj!
Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi sot u befasua nga Drenica në Skenderaj, ku u mposht 2-1 (Kreshnik Uka 19’, Denisson 50’ / Mevlan Zeka 51’), e kjo humbje dhe fitorja e sotme e Prishtinës në Podujevë e zbresin nga kreu skuadrën e Ballkanit, kur kanë mbetur edhe 4 xhiro deri në fund të sezonit.
Lojtari që po kalon formë tejet të mirë gjatë pjesës së dytë të sezonit, Kreshnik Uka i Drenicës, ishte i pari që u shënua në listën e golashënuesve sot.
Uka rrjetën e gjeti në minutën e 19’, për t’ia dhënë Drenicës epërsinë fillestare.
Që nga ai moment, përkundër rasteve të Ballkanit për shënim, më gola nuk pati deri në minutën e 50’, kur Denisson i Drenicës shënoi për 2-0.
Mysafirët nga Suhareka reaguan me një gol të Mevlan Zekës në minutën e 51’, por për fatin e keq të tyre, ata nuk arritën dot të bëjnë më shumë dhe u detyruan të pajtohen me humbje, që në fund mund të jetë fatale në luftën për titullin kampion.
Në anën tjetër, fitorja e shënuar sot e largon Drenicën nga pozita që dërgon në barazh dhe ia shton gjasat për mbijetesë direkte, pa pasur nevojë të luajë në Play Out.