MEDIA
Gjenden pjesë të aeroplanit që bartte Emiliano Salan
30 January, 2019 @15:52
Pas ngjarjes dramatike të javës së kaluar kur aeroplani që bartte rekord-transferin e Cardiff Cityt, Emiliano Sala, u humb nga radari - kërkimet për të gjetur diçka u ndalën zyrtarisht pas 4-5 ditësh.
Mirëpo, me inicimin e pavarur për kërkim privat dhe mbështetjen që dhanë disa futbollistë nga vende të ndryshme të botës, sot WalesOnline raporton se janë gjetur disa paisje të aeroplanit.
AAIB (kompania për hulumtim të aksidenteve ajrore) ka konfirmuar se ka gjetur pjesë të mbështetëses së ulëseve të aeroplanit, që dyshohet se janë të asaj që bartte futbollistin argjentinas.
Ato janë gjetur në bregun afër plazhit të Surtainvilles në gadishullin Contentin, në bregun VeriPerëndimor të Francës.
Të hënën në mëngjes, BEA (autoritet francez për siguri e hulumtime) ka këshiluar AAIB që një pjesë e ulëses është gjetur në plazh, ndërsa e dyta u gjet në të njëjtën hapësirë pak më vonë.
Këto ditë, do të bëhet kërkim edhe në hapësirën nënujore për 4 milja nautike. Afro 300 mijë euro fonde janë mbledhur për të vazhduar kërkimet për futbollisin dhe pilotin që u humbën në fluturimin Nantes-Cardiff.