FERRONIKELI - TREPÇA'89
Ish-kampionët, barazojnë
18 August, 2018 @18:43
Ka nisur edicioni i ri i Superligës së Kosovës sot me përballjen ndërmjet dy ish-kampionëve, Ferronikelit dhe Trepçës’89, që në fund janë ndarë baraz, 1-1.
Ekipet që po drejtohen nga trajnerët e Shqipërisë, Ferronikeli me Sulejman Starovën në krye dhe ‘89-shi me Gugash Maganin, kanë zhvilluar lojë të pëlqyeshme për publikun dhe kanë pasur raste, prej të cilave konkretizuan nga një për rezultatin përfundimtar në fjalë.
Mendurim Hoti ka shënuar golin e avantazhit për Ferronikelin në fillim të pjesës së parë, kur dominonin vendasit. Hoti realizoi në minutën e 18-të të ndeshjes, për 1-0.
Më pas rast pati edhe Astrit Fazliu e Kastriot Rexha, por gola nuk kishte më në pjesë të parë.
E në pjesë të dytë ka qenë përforcimi i ‘89-shit nga Gjilani, Gëzim Rusi, që ka shënuar për barazim, 1-1. Trepça’89 kishte mbushur bateritë në fillim të pjesës së dytë dhe shpejt u vendos në zonën e niklit për të krijuar presion, që rezultoi me gol, pas disa gjysmërasteve që i kishin.
Më pas, ndeshja u përshkua nga zëvendësime të trajnerëve dhe disa kartonë të verdhë, por rezultati nuk ndërroi deri në fund dhe pas 5 minutave shtesë të akorduara nga referi kryesor Mervan Bejtullahu, ekipet në terren ndanë pikët për t’ia bërë sefte edicionit 2018/19.
11-shet startuese:
FERONIKELI: | Florian Smakiqi, Përparim Islami,Yll Hoxha, Arbër Prekazi, Lapidar Lladrovci, Alush Gavazaj, Albutrint Morina, Mendurim Hoti, Kastriot Rexha, Jean Da Silva, Astrit Fazliu. Trajner: Sulejman Starova | ||
TREPÇA 89: | Arben Beqiri, Arbër Pira, Marglen Shoshi, Elton Basriu, Dardan Çerkini, Orges Gava, Bllagoj Gocev, Muharrem Jashari, Renato Hyshmeri, Gëzim Rusi, Antonio, Bujqevski. Trajner: Gugash Magani |