KOLUMNE
Parashikimi për La Liga 2018/19
Shkruan: LUAN MORINA
18 August, 2018 @16:25
Largimi i Cristianos vetëm sa do të përmirësoj ligën spanjolle. Do të duhej të kemi një Real më ekipor, me yje të cilat kërkojnë të mbushin hapësirën e lënë nga njëri prej lojtarëve më të mirë që ka luajtur në gadishullin Iberik.
ÇKA DUHET TË BËJ REAL MADRIDI?
S’do të jetë lehtë për Realin, ashtu siç mund të shohim nga finalja e Superkupës së Evropës. Edhe pas ardhjes së Cristianos kanë pasur nevojë për kohë për të ndaluar dominimin e Barcelonës, së paku në nivel kontinental. E më shumë se largimi i Cristianos, Realin do të lëndoj largimi i Zidane. Dhe që të
dy bënë vendimin më të mençur në karrierën e tyre për t’u larguar nga Reali. Klubi mbretëror ka nevojë për kohë dhe këndellje, dhe kushdo që transferohet deri në fund të gushtit, zor që mund të mbajë ritmin e trofeve pranverën e ardhshme në kryeqendrën spanjolle.
PUSHTIMI KATALANAS
Për Realin këtë sezon nevojitet zhvillim i brendshëm, eksperimentim, pjekje, dhe mbi të gjitha durim i tifozëve, diçka që gjithnjë u ka munguar. Për të shfrytëzuar hapësirë kohore të lënë bosh, Barcelona ka bërë nja dy prurje të mira në mesfushë. Për Vidalin të gjithë e dimë se çfarë lojtari është, e për Arthurin na mbetet të shohim.
Asnjëri nga ta nuk mund të zëvendësojë i vetëm Iniestan. As Malcolm s’mundet të zëvendësojë Neymarin, por konkurrenca me Dembelen, mund të ketë anën pozitive. Kanë nxjerrë rreth 65 milionë nga lojtarë që kurrë s’do të arrinin kualitetin e një startuesi të Barcelonës duke shitur Digne, Mina, e Deulofeu tek Evertoni e Watfordi.
Barcelona mbeten ekipi për t’u mposhtur, dhe jo vetëm në La Liga këtë sezon.
ATLETICO E VENDOSUR
Atletico ka bërë gjëra të mira në këtë afat duke siguruar krahë sulmi; një mesfushor të kalibrit që tashmë kanë me Rodrin; krahë të mbrojtjes, ndonëse kanë huazuar Jonnyn tek Wolves menjëherë; portier rezervë me përvojë me Adan; dhe rezervë jo aq të dobët për Diego Costan. Gjëja më pozitive në Superkupën e Evropës ishte gatishmëria e ‘colchoneros’ të mbajnë topin dhe të sulmojnë.
Zakonisht qëndrojnë në defensivë kundër Realit, e sidomos Barcelonës, dhe kjo ka dëmtuar më së shumti në aspektin psikik ata. Këtë vit mund të bëjnë gjëra të mëdha!
KUSH MUND TË PRISH PUNË?
Më e mira që mund të ndodh në La Liga këtë vit është rrezikimi i treshes së parë. Favoriti i parë për të rrezikuar këtë treshe mund të duket Valencia, por me një sezon stabil në pozitën e trajnerit edhe Sevilla mund të bëj të njëjtën gjë. Villarreal e Real Betis do të duhej të ishin ekipet tjera që do të duhej të konkurronin për Evropë.
Bilbao, Sociedad, e Celta do të mbeten të kënaqura me Top10 me gjasë. Alaves, Girona, e si zakonisht sezoneve të fundit Eibar, kanë qenë ekipe që kanë befasuar për të mirë. Hiç më keq nuk kanë mbetur Levante e Getafe.
MBIJETESA
Pozitive do të ishte edhe sikur të kishte një luftë më të hapur për mbijetesë në krahasim me sezonet paraprake kur gati njëzet javë para fundit vetëm mund të shohim pozicionimin e tri ekipeve që largohen. La Liga këtë vit do të jetë ndryshe. Ndryshe për të mirë shpresojmë.