OPINION
Parashikimi për Serie A 2018/19
Shkruan: LUAN MORINA
18 August, 2018 @16:32
Cristiano Ronaldo s’do të ndryshojë Serie A.
DOMINIMI DO TË VAZHDOJË
Krejt çfarë mund të bëjë është të ndryshojë listën e golashënuesit më të mirë dhe statistikat e tija. Serie A ka vite që është dominuar nga Juventusi, dhe ky dominim vetëm sa do të thellohet. Kanë kthyer Bonuccin, kanë marrë një mesfushorë të shkëlqyeshëm në Emre Can, dhe një krahë të djathtë në Semedon, nja dhjetëfish më i mirë se De Sciglio i preferuar i Allegrit. Qëllimi i Juventusit dhe Cristianos është Liga e Kampionëve. Gjithçka tjetër është dështim.
NAPOLITANËT E ANCELOTTIT
Napoli mund të duket sikur nuk janë përforcuar, por në Fabian Ruizin e Simone Verdin kanë talente të përshtatshme për një ekip tashmë të konsoliduar. Për Reinan kanë sjellë tre portierë, të gjithë të gatshëm për të mbrojtur në Serie A. Ancelotti nuk është trajner i përshtatshëm për të fituar ligën sa për të fituar ndonjë Ligë të Kampionëve. Sigurisht që është mision i pamundur për Napolin, por gjysmëfinalja e Romës këtë pranverë është arsye e mjaftueshme për të ëndërruar diçka të ngjashme.
GLADIATORËT E ROMËS
Të ngjashme mund të ëndërrojnë edhe tek Roma, të cilët me Monchin e Di Francescon mund të bëjnë një projekt afatgjatë të frytshëm. Kanë marrë talente në Coric, Cristante, Zanolo, e Kluivert; dhe përvojë me Nzonzi e Pastore. Kanë larguar vetëm Alissonin e Nainggolanin, të cilët nuk janë aq të pazëvendësueshëm, ndonëse Olsen s’duket të jetë i kalibrit të portierit brazilian.
NEROAZZURRËT
Nainggolan është blerja më e shtrenjtë e Interit këtë sezon. Bashkë me Keitan, duhet të ndihmojnë Perisicin dhe Icardin. Argjentinasi ka një rezervë të denjë pas shumë viteve. Mbrojtja me De Vrij e Vrsaljko duhet të ‘çimentohet’ përfundimisht me Skriniar i cili zor që mund të përsërit sezonin e kaluar.
SHQIPONJAT E ROMËS
Për të trazuar këtë katërshe do të duhej të përkujdesej Lazio. Ekipi i kapitenit të Kosovës ka sjell edhe shqiptarin danez, Riza Durmishi, Badeljin, Acerbin, e Correan për të zëvendësuar de rij, e Felipe Andersonin. Nuk do ta kenë të lehtë të maten me kundërshtarët e qytetit, aq më pak kualifikimin për në Ligën e Kampionëve.
ROSSONERËT
Në të njëjtën pozitë është edhe Milani – në luftë për Ligën e Kampionëve dhe inferior ndaj rivalëve të qytetit. Ndërrimi në menaxhim dhe pronësi nuk i ka ndihmuar aq shumë rossonerët. Kanë marrë disa lojtarë që duhet të përshtaten, por largimi i Gattusos në mes të sezonit vetëm sa do të ‘resetojë’ të gjithë punën e bërë këtë verë. Nuk kanë thellësi në mesfushë dhe në sulm, aq më pak kur kanë Abaten e Montolivon si rezerva të ‘arta’!
TË TJERËT
Atalanta, Fiorentina, e Sampdoria duhet të luftojnë për pozitën e fundit për në Evropë. Frosinone, Empoli, e Parma s’do ta kenë të lehtë mbijetesën. Sidoqoftë, efekti Cristiano ka kthyer në faqe të parë Serie A, pas më shumë se një dekadë e gjysmë. Tashti vetëm duhet të punohet që të qëndrojnë aty.