5 PËR FUNDJAVË

Java e të mëdhenjëve
Shkruan: LUAN MORINA
23 February, 2018 @13:54
Me dy ndeshje nga La Liga, dy nga Premier Liga dhe një nga Serie A - këto janë TOP 5 ndeshjet e kësaj fundjave.
Real Madrid – Alaves (e shtunë, ora 4e15)
E treta e vërteta ka qenë tek përzgjedhja e trajnerit për ish-nënkampionët e Kupës së UEFA-s. Ka qenë njëra ndër finalet më interesante, por gati një dekadë e gjysmë më vonë, Alaves po lufton për mbijetesë. Akoma e konsideroj të hapur luftën për mbijetesë pasi në zonën e largimit nga La Liga janë disa ekipe që kanë potencial për të qenë pjesë e kësaj lige. Abelardo ka ndryshuar gjithçka tek Alavesi, nga qasja psikike në lojë deri tek nxjerrja e rezultateve nga vende të pakalueshme.
Një vend i tillë këtë sezon nuk ka qenë Santiago Bernabeu. Ekipe të shumta në krahasim me sezonet paraprake kanë fituar e nxjerr pikë në këtë monument. Megjithatë, së fundmi duket se kanë marr me seriozitet punën e tyre madrilenët, dhe përkundër mungesave eventuale do të duhej të mposhtnin Alavesin. Por, assesi s’do të jetë një shëtitje e lehtë!
Barcelona – Girona (e shtunë, ora 15n9)
Humbja nga Barcelona ka ardhur herët në shtator, atëherë kur pas gjashtë xhirove kishin vetëm tre pikë Girona. Pjesë e City Football Group që ka në posedim edhe Manchester Cityn, Girona nuk ndihmohet vetëm nga huazimet e lojtarëve, sa edhe në aspektin logjistik nga kampionët e ardhshëm të Premier League. Të sfidosh Barcelonën në Camp Nou kërkon shumë punë, dhe Girona kam frikën që nuk e ka.
Barcelona në anën tjetër kërkon një shpërthim të Coutinhos i cili duhet të ndihmohet nga forma e pakënaqshme e Rakitic. Nëse ka ndonjë lojtar që nuk ka merituar të jetë pjesë e 11-shes së Barcelonës këto vite ka qenë kroati. Me pak manipulim me formacion, Valverde do të mund të përshtaste Coutinhon në 11-shen startuese. Besoj që nuk mendon se është ende koha e duhur, por shpërthimi i brazilianit do të ndodh. Ndoshta këtë të shtunë.
Manchester Utd – Chelsea (e diel, ora 3:05)
Mourinho nuk besoj që urrehet aq shumë për lojën defensive që e përdor në raste, sa për karakterin e tij karizmatik. Ka qenë një luftë të cilën Jose e ka fituar me një fjali të thjeshtë ndaj Contes. Italiani do të lë Chelsean në fund të sezonit, por deri atëherë do të mundohet të dëshmoj se sezoni i kaluar nuk ka qenë rastësi.
Të dy trajnerët marrin vendime të çuditshme në fushë, dhe duke parë qasjen e tyre që kanë në ndeshje të mëdha, sidomos në këtë ndeshje pas krejt tensionit të krijuar jashtë fushës, do të kërkojnë një fitore që do të duhej të vinte me shumë kujdes. Kjo mund të na çojë tek një ndeshje jo shumë dinamike, dhe ndoshta edhe me rezultat të bardhë. Të shpresojmë se s’do të jetë ashtu në fund.
Arsenal – Manchester City (e diel, ora 5:30)
Në ndeshjen e parë këtë sezon kanë humbur paksa pa meritë në Etihad Stadium lojtarët e Wengerit. Këtë ndeshje e gjejnë me një formë më ndryshe dhe me disa brenga të hequra qafe – Ozil dhe Sanchez. Humbja në Europa League shërbeu për të pushuar lojtarët e ekipit të parë, dhe finalja e parë dhe me gjasë shansi më i mirë për titull i Arsenalit s’do të duhej ti lehtësonte punën Manchester Cityt.
Pres që humbja nga Wigan t’i motivojë për të fituar sa më bindshëm finalen e parë të këtij sezoni djemtë e Guardiolës. Edhe nëse nuk fitojnë as Carabao Cup, as FA Cup, Premier League e Liga e Kampionëve mjaftojnë pas gjithë atyre milionëve të investuar.
Roma – Milan (e diel, ora 15n9)
Çfarë do të bënte Milani me një EDF në pozitën e trajnerit? Do të ishte më mirë se Roma ndoshta!
Gattuso ka kthjellur lojtarët e Milanit të cilët mund të themi se vetvetiu po luajnë futboll, sidomos kur kemi parasysh aftësitë teknike të Gattusos. Ngjashëm edhe Cutrone po shënon gola, por është një Inzaghi që me kontaktin e dytë me topin humbet edhe vet edhe aksionin. Këto i them si rossoner, por për momentin edhe Gattuso edhe Cutrone po kryejnë punën. Dikur mrekullitë, magjia e tyre do të mbarojnë. Dhe kjo mund të jetë ndaj Romës.
Cengizi ka gjetur vetbesimin e dy gola në ndeshjet e fundit, sa i bukur ai në kampionat, aq i rëndësishëm i dyti në Donetsk. Kanë një mes-javë pushim për dallim prej Milanit që vijnë pas një loje të lehtë ndaj Ludogoretsit. Të dyja kanë potencial për kualifikim në Evropë, por nuk janë të kalibrit të nevojshëm për scudetto. Janë me meritë aty ku janë në renditje, ndonëse përballjet gjithnjë kanë ofruar futboll të bukur.