BIANCONERI

REUTERS
Juventus, i pamëshirshëm
1 September, 2013 @0:08
Nëntëdhjetë minutat e kaluara të Lorik Canës në mbrojtje të Lazios kanë qenë shenjë e mirë për kombëtaren shqiptare pas lëndimit të lehtë të tij, që do të thotë se ai është i gatshëm për kuqezinjtë.
Mirëpo, në anën tjetër ekipi i tij dhe pikërisht kjo mbrojtje nuk ka arritur assesi të ndalë sulmet e Juventusit që vinin nga çdo anë. Kampioni i Italisë, ka demoluar Lazion duke e mposhtur 4-1 në Juventus Arena, ku në pjesën e parë kiliani Arturo Vidal shënoi dy herë, ndërsa në pjesën e dytë shënuan sulmuesit Mirko Vucinic dhe Carlos Tevez.
Lazio mendohej se do të mund të bënte më shumë, kur sulmuesi më i mirë i tyre, veterani Miroslav Klose shënoi për të ulur epërsinë e binaconerëve në 2-1, por u pa që kjo ishte e tëra nga lacialët, të cilët që nga minuta e 63-të e takimit luajtën me 10 veta në fushë pas kartonit të dytë të verdhë të brazilianit Hernanes.
Kjo ishte fitorja e dytë e Juventusit pas dy xhirove, derisa Lazio regjistroi humbjen e parë në stinorin e ri të Serie A-së.
Rezultatet dhe tabela aktuale.