KOMUNIKATA E KF FERONIKELI
Kampioni reagon për përfoljet
21 May, 2019 @14:57
Skuadra e Feronikelit ka reaguar ndaj përfoljeve që po i bëjnë disa portale lidhur me kurdisjen e ndeshjeve të këtij stinori.
Kështu, Feronikeli ka botuar reagimin e mëposhtëm, që po ua sjellim pa ndërhyrje:
“Përderisa klubi ynë, Feronikeli, po kalon ditë feste pas shpalljes kampion të Kosovës në futboll, zëra nga portalet mediokër kanë filluar tentimin për njollosjen e klubit.
Është e qartë që nuk jemi ekip i dëshiruar për ju, pasi e kemi vërejtur qëmoti pozicionin tuaj karshi klubit tanë. Është e kuptueshme dhe shumë normale që titulli kampion i Feronikelit nuk mund të i pëlqejë secilit dhe se secili mund të ketë një ekip të zemrës që e favorizon. Sidoqoftë, është totalisht e papranueshme i nderuar “gazetar” që të mos jesh në nivel aq profesional në punë, sa që ti ngatërrosh këto të dyja.
Ne jemi gjithmonë të hapur pro kritikave, pro frymës së lirë të medieve dhe jemi ndër klubet që gjithmonë kemi qenë të gatshëm për bashkëpunim, e kjo dëshmon edhe në ndeshjen e fundit, ku përkundër numrit të limituar të vendeve, ne mediet i kemi vendosur në plan të parë.
Një portal si puna juaj (që nuk ja vlen as të cekim emrin tuaj), nuk do të na ndalojë asnjëherë bashkëpunimin që do të kemi me mediet tjera, që e bëjnë punën në mënyrë tejet profesionale, për çka edhe i falënderojmë.
Në gazetari duhet hulumtim, fakte, e më pas plasim i lajmit, por tek ju siç duket ky sistem kthehet në mënyrë të kundërt, pasi që plasoni lajme të pa baza, pa fakte e pa kurrfarë hulumtimi, për të tentuar njollosjen e klubin tanë, Feronikelit, klubeve të tjera të Superligës dhe gjithashtu edhe Federatës së Futbollit të Kosovës.
Një lajm të tillë e keni lansuar edhe sot, gjoja se për kurdisje të rezultateve, e pa kurrfarë baze e keni përdorur edhe emrin e klubit kampion në vend.
Sidoqoftë, ju keni pritur që të zhvillohet ndeshja e fundit për ta lansuar këtë lajm, pasi që nuk do të ishte më i favorshëm për ju nëse ne nuk do të arrinim titullin. “Na vjen keq”, që ua dëshmuam edhe në fushë edhe në 90 minutat e fundit edhe në djersën e fundit që e kemi merituar titullin për këtë stinor.
Është edhe më për keqardhje, që në kampionatin ndoshta më të mirin ndonjëherë, të qarkullojnë lajme të tilla në fund të kampionatit, kur dikujt nuk i ka pëlqyer kampioni.
Ne si klub, e falënderojmë Prishtinën, Llapin e të gjitha skuadrat tjera që bënë një garë të fuqishme deri në sekondat e fundit, pasi që fundi i fundit, për këtë ka nevojë publiku sportdashës dhe futbolli i Kosovës.
Jemi akuzuar nga ju, portal i dashur, që kemi trukuar ndeshjen ndaj KEK-ut, në të cilën golashënuesi më i mirë i Kosovës, Kastriot Rexha shënoi tre gola, e Feronikeli fitoi me rezultat 0-4. Por kjo nuk është hera e parë që i shënojmë katër gola ndaj KEK-ut, pasi që një gjë të tillë e kemi bërë edhe në “Rexhep Rexhepi”, duke triumfuar 4-1.
Jemi akuzuar për kurdisje të ndeshjes ndaj Drenicës, të cilën e fituam 0-1, por të njëjtën diferencë golash e kishim edhe në takimin para këtij të fundit, duke fituar 2-1.
Akuza ka edhe për ndeshjen me Dritën, që e fituam 4-1, kurse me të njëjtin klub, në ndeshjen e parafundit në “Rexhep Rexhepi” kemi fituar 4-0.
Ka akuza nga ju që paskemi trukuar edhe ndeshjen ndaj Llapit, që fituam 1-3, por mos harroni që Llapin e mposhtëm edhe në “Rexhep Rexhepi”, me rezultat 2-0.
Është e papranueshme që në momentet më të mira që po kalon futbolli kosovar, që në investimet më të mëdha që po bëhen në klubin e Feronikelit si dhe në klubet të tjera të Superligës, të dilni me lajme të tilla, që nuk kanë asgjë më shumë brenda vetës sesa dezinformata.
Ne ftojmë të gjitha organet kompetente të fillojnë hetimet, kjo nuk do të jetë aspak problem për ne dhe gjithashtu, jemi të gatshëm të fillojmë procedurë ligjore ndaj portalit tuaj, për shpifje dhe për informata të pabaza që po i servoni publikut sportdashës.
Feronikeli i falënderon të gjitha mediet për korrektësinë dhe lajmet rreth titullit kampion, përveç portalit tuaj, që edhe në ditën kur ne u shpallëm kampion kritikuat festën e klubit, pa u informuar mirë që ajo do të vazhdonte në sheshin e Drenasit.
Këshillojmë (pa kurrfarë presioni), stafin e portalit, që të angazhojë gazetarë më profesionistë!
Ju përshëndesim dhe jeni të mirëpritur çdoherë në festat e klubit!
Me respekt, FC Feronikeli”