PRISHTINA
Dy herë njëjtë, çuan titullin poshtë
20 May, 2019 @15:27
Prishtinës assesi nuk po i ec në ndeshjet e fundit të stinorit, edhe pse titullin e kampionit e kishin në duar të tyre - dy herë radhazi.
Por, asnjëherë ta kapin atë.
Në stinorin e kaluar, si vendas në Shahin Haxhiislami të Pejës, bardhekaltërit nga kryeqyteti duhej të fitonin Dritën me dy gola dallim për tu bërë kampion të Kosovës.
Nuk sulmuan mjaft dhe me barazim 0-0 Drita u bë kampione që kishte dy pikë më shumë sesa Prishtina.
Njëjtë edhe këtë stinor, natyrisht me trajnerin e njëjtë, Mirel Josën.
Prishtina duhej të fitonte kësaj radhe në Rexhep Rexhepi të Drenasit për tu bërë kampion.
Ndeshjen e përfunduan me vetëm një goditje konkrete në portë, e Feronikeli fitoi ndeshjen 1-0 për tu bërë kampion.
Kështu, Prishtina që gjatë stinorit po ndjek me gjithë intensitet titullin, në ndeshjet e fundit po dështon, duke luajtur tepër kujdesshëm, aq tepër sa që s’po ka lojë në fushë në ndeshjet e fundit.
E Prishtina si skuadra më e trofeshme e futbollit kosovar tashmë është duke e përjetuar agoninë më të madhe sa i përket titullit kampion.
Asnjëherë më shumë prishtinasit nuk kanë pritur për një titull të kampionit. Tashmë janë bërë gjashtë vite, gjashtë stinorë, që Prishtina nuk ka fituar titullin kampion - rekord negativ ky, që asnjëherë s’ka ndodhur në histori të klubit, prej pavarësimit të futbollit të Kosovës.