KAMPIONATI, SHKURT
Prej kampionit deri te i fundit, si përfundoi Superliga 18/19?
20 May, 2019 @11:06
Me ndeshjet e djeshme, të xhiros së XXXIII të Superligës së Kosovës, ka përfunduar stinori 2018/19 i kampionatit elit.
Feronikeli, duke mbledhë 80 pikë me 25 fitore nga 33 ndeshje është bërë kampion i Kosovës, duke e fituar për herë të tretë këtë titull në histori të klubit, pas atyre 2014/15 dhe 2015/16.
Prishtina përfundoi stinorin si nënkampione, për herë të dytë me radhë. Si dhe, për herë të dytë me radhë duke mos arritur të fitojë ndeshjen vendimtare të stinorit për të marrë titullin.
Stinorin e kaluar kryeqytetasit nuk kishin arritur të mposhtin Dritën, që u bë kampione, ndërsa këtë stinor ata nuk arritën të mposhtin Feronikelin, që gjithashtu u bë kampion.
TABELA PËRFUNDIMTARE E STINORIT 18/19
Llapi, Drita, Ferizaj, Flamurtari, Drenica dhe Ballkani kanë siguruar edhe një stinor në Superligë, duke përfunduar sipas radhës prej pozitës së tretë deri te i teti.
Trepça’89, kampione e dy stinorëve më parë do të duhet të luajë ndeshje barazhi me Vëllaznimin e Gjakovës, për të ruajtur statusin elit në futboll.
Sikurse edhe Gjilani, që do të ndeshet me Besën e Pejës për të ruajtur këtë status.
Liria dhe KEK-u janë skuadrat që bien në Ligë të Parë të Kosovës. Ndërsa Vushtrria kampione e Ligës së Parë dhe Dukagjini i Klinës do të zënë vendet e tyre. Dy ekipet tjera të sezonit 2019/20 do të përcaktohen nga ndeshjet e përmendura të barazhit, që s’janë përcaktuar ende kur dhe ku do të luhen.
TABELA PËRFUNDIMTARE E LIGËS SË PARË
Feronikeli si kampion i Kosovës, do të përfaqësojë vendin në kualifikime për Champions League, ndërsa pjesëmarrësi tjetër i garave evropiane do të kuptohet pas finales së Kupës së Kosovës, ku luajnë Feronikeli-Trepça’89.
Nëse mitrovicasit fitojnë Kupën, shkojnë në kualifikime për Europa League, në të kundërtën, nënkampionia Prishtina merr biletën për këtë garë.