ORGANIZIM I TROFEUT
Ceremonia zero, as trofeu i njëjtë
20 May, 2019 @13:05
Feronikeli u bë kampion i Kosovës për stinorin 2018/19. Drita ishte kampione e Kosovës për stinorin 2017/18.
Por, këto dy skuadra nuk kanë trofeun e njëjtë të fituar, përkundër se dallimi kohor në triumf është vetëm 1 vjet.
Organzimi i ceremonisë së ngritjes së trofeut të kampionit të Kosovës është duke kaluar nën nivel vite me radhë, dhe tashmë kjo po bën që ekipet të mos kenë asnjë fotografi zyrtare me një pankartë të thjeshtë ku shkruan Kampion i Kosovës për stinorin përkatës!!!
E në fotografinë tonë nga sezoni i kaluar krahasuar me atë të këtij sezoni - lehtë mund të dallohet që as trofeu i kampionit nuk është i njëjtë. Për vlerën e saj nuk ia vlen as të flitet. Por, së paku as nuk është përkujdesur Federata e Futbollit të Kosovës që të jetë një kupë e njëjtë. Së paku këtë ta rregullonte pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, për më herët - s’po flasim.
Gjëja tjetër që mund të shihet nga fotografitë është pamundësia e gazetarëve të mediave, por edhe të vetë ekipeve kampione, që të bëjnë një fotografi në momentin e ngritjes së Kupës, nga një hapësirë ku lojtarët së paku të jenë 50 centimetra mbi fushë. E gjitha bëhet në fushë dhe aparatet e fotografive, telefonat e mençur dhe kamerat e televizioneve - janë në ajër. Kush, s’i të mundet, për kampionin e ri të Kosovës - fotografo, inçizo…
Pamja majtas nga fotografia është nga stadiumi Shahin Haxhislami i Pejës, ku Drita kishte fituar titullin në ndeshje ndaj Prishtinës. Ndërsa djathtas është në stadiumin Rexhep Rexhepi të Drenasit, ku Feronikeli fitoi titullin, gjithashtu në ndeshje ndaj Prishtinës.
E për FFK-në, nuk ka çka të shtohet, me ceremoni zero (trofeu s’është i njëjtë, pankartë ku shkruan kampioni i Kosovës s’ka, etj.) për kampionin e garave që i organizon vetë FFK-ja!!!