OPINION
Kosova para Ligës së Kombeve
Shkruan: LUAN MORINA
4 September, 2018 @16:00
Këtë javë për Kosovën fillon një kapitull i ri, ai i rritjes. Derisa kualifikimet e para për një garë ndërkombëtare kaluan në njoftimin me njëri-tjetrin, në një stadium me kilometra jashtë vendit, linçimin ndaj kombëtares më shumë nga brenda se sa nga armiqtë e jashtë, dhe pa harruar kritikat e shumta të vazhdueshme ndaj trajnerit e lojtarëve, kjo fazë do të duhej të ishte një rikuperim nga krejt ato probleme.
Dhe rikuperimi duhet të vazhdojë aty ku mbetëm me fitoren e thellë, por mbi të gjitha lojën e shkëlqyeshme të projektuar nga Bernard Challandes. Për selektorin tonë, sprova më e madhe nis tani.
Fatmirësisht ka një grup të lojtarëve në formë – krahët e sulmit. Milot Rashica ka qenë vendimtar për Werderin në dy ndeshjet e fundit, përfshirë golin e fitores në minutën e 96të që duhet të ndikojë pozitivisht në përgatitjen e tij psikike. Arbër Zeneli ka qenë vendimtar me Heerenveenin, dhe dy golat ndaj Shqipërisë mjaftojnë të jenë pikë vazhdimi i kontributit për Kosovën. Sikur Zeneli, edhe Donis Avdijaj ka kontribuar me asistime e gola në ligën holandeze në këto javët e para të sezonit të ri.
Dy të tjerët, Bernard Berisha dhe Bersant Celina, nuk janë regjistruar në listën e shënuesve, apo asistentëve. Por, nëse keni parë ndeshjet e Swansea Cityt këtë sezon, Celina ka qenë ndër lojtarët kyç sidomos në aksionet e golave. E Berisha tek Grozny ka qenë më i rregullti nga treshja shqiptare tek ekipi rus.
Kjo pjesë e fushës gjithmonë ka qenë në nivel. As sulmi nuk ka mbetur mbrapa. Atdhe Nuhiu pas dy golave dhe kartonit të kuq nuk ka gjetur më rrjetën për Sheffieldin, e Vedat Muriqi ka qenë i rregullt por nuk ka shënuar për Rizespor pas inkuadrimit në elitën turke.
Tek Rizespor, hapësirë nuk ka gjetur, dhe vështirë se do të gjejë Samir Ujkani i cili mbetet rezervë e portierit të tretë të kombëtares turke. Ndoshta është momenti i duhur që dorëzat të kalohen tek Visar Bekaj, në këtë fillim të kësaj gare.
Brenga duhet të japë edhe mungesa e Amir Rrahmanit tek Dinamo e Zagrebit këtë sezon. Në shumicën e rasteve nuk ka qenë as në bankën rezervë, dhe nëse nuk gaboj ka vetëm dy ndeshje. Njëjtë ka ndodhur edhe me Ardian Ismajlin. Por, Kastriot Dërmaku tek Cosenza ka qenë i rregullt, sikur Arbenit Xhemajli me Xamaxin. Ky i fundit vetëm është në formë të përkryer me tashmë gjashtë javë në terren. E njëjta vlen edhe për Mërgim Vojvodën në krahun e djathtë, dhe Benjamin Kolollin në të majtën.
Idriz Voca e Hekuran Kryeziu kanë qenë shtylla të Luzernit dhe Zurichut në superligën zvicerane. Një kujdes më i madh dhe më pak ndëshkime do të shërbenin shkëlqyeshëm për Kosovën në këto dy ndeshje të radhës.
Forma e lojtarëve, shumicës prej tyre, është në nivel. Tani i mbetet Challandes të dëshmojë që fitorja ndaj Shqipërisë nuk ishte e rastësishme. Asnjëri nga konkurrentët nuk është për tu nënçmuar. Ishujt Faro dinë të luajnë futboll ekipor, e edhe azerbajxhanasit kanë pasur ngritje viteve të fundit. Në këto
ndeshje nuk luajnë emrat e individët, por ekipi. Është koha të dëshmohet që janë duke u bërë ekip.
Arsyetimet po shkojnë duke u shterur. Mundësia e vetme e kualifikimit për Euro2020 është me anë të Ligës së Kombeve.