SHKËNDIJA
Kozniku largohet nga Shkëndija
27 March, 2015 @12:13
Bashkëpunimi ndërmjet skuadrës së Shkëndijës dhe trajnerit të mirënjohur kosovar, Ardian Kozniku, ka marrë fund pas xhiros 21 të kampionatit maqedon.
Drejtuesit e klubit tetovar kanë arritur marrëveshje të dyanshme me Koznikun që ta ndërprejnë kontratën, pas rezultateve jo të kënaqshme të ekipit kuqezi.
Shkëndija së fundi u mposht me rezultat minimal 1-0 nga rivali lokal, Teteks, skuadër kjo që gjendet në pozitën e fundit të radhitjes tabelare, gjë që doli të jetë e papranueshme për drejtuesit e klubit tetovar.
Në vend të trajnerit gjakovar, në krye të skuadrës është emërtuar trajneri Jeton Beqiri, i cili deri më tani ka qenë ndihmësi i Koznikut.
Kozniku gjatë karrierës së tij si futbollist ka qenë reprezentues edhe i përfaqësueses së Kroacisë, ndërsa te Shkëndija e ka përjetuar përvojën e parë si trajner i një skuadre.
Shkëndija momentalisht gjendet në pozitën e tretë të radhitjes tabelare pas Vardarit dhe Rabotniçkit, me gjithsej 37 pikë të tubuara.