GJILANASIT FITOJNË
Gjilani, çerekfinalisti i fundit
26 March, 2015 @15:12
Skuadra e Gjilanit, që është lider i Ligës së Parë në futboll, ka arritur të mposht ekipin nga pjesa e poshtme e Superligës, Ferizajin për të siguruar çerekfinalen e Kupës.
Pasi që pjesa e parë kaloi pa gola, gjilanasit i dhanë hov në pjesë të dytë për të shënuar dy herë në portën e bardhekaltërve nga Ferizaji për tu bërë ekipi që zë trenin e fundit për çerekfinale.
Visar Sermaxhaj shënoi për avantazh, derisa ish lojtari i Ferizajit, Shkëmbim Salihu dënoi ish ekipin për të fituar 2-0 në fund.
Me Gjilanin që drejtohet nga Musa Selimi, është kompletuar numri i ekipeve çerekfinaliste të Kupës, derisa tash në garë për trofeun e Republikës mbeten: Trepça’89, Besa, Ferronikeli, Istogu, Drenica, Drita, Llapi dhe Gjilani.
Drenica është kualifikuar pa lojë në çerekfinale, pasi që shorti ka vendosur ashtu, derisa Ferronikeli është mbrojtës i trofeut.