DEKLARATA PAS INSPEKTIMIT
Kreu i FFK-së: Kosova më homogjene se Maqedonia
21 November, 2019 @20:56
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, ka qëndruar ditë më parë në Shkup, bashkë me trajnerin e reprezentacionit të Kosovës, Bernard Challandes, për të shikuar ndeshjen e fundit kualifikuese për EURO 2020, mes Maqedonisë dhe Izraelit.
Maqedonia, që është kundërshtare e Kosovës në kuadër të fazës së PlayOffit në Ligë të Kombeve, ka mposhtur izraelitët 1-0 dhe ka përfunduar grupin e saj në pozitë të tretë, njëjtë si Kosova, por me më shumë pikë.
Ndërkaq, me këtë rast Ademi ka folur për gazetën Lajm të Shkupit dhe ka dhënë vlerësim për atë që kanë parë me selektorin Challandes.
“Më duhet të them se ndeshja nuk ishte e vështirë, pasi që nuk vendoste asgjë në grup, por mjaftoi për të parë disa detaje te reprezentacioni i Maqedonisë. Pamë një ekip që assesi nuk bën të nënçmohet, por unë jam i bindur se Kosova ka ekip më homogjen,” është cituar të ketë thënë Ademi.
Bashkë me dyshen e përmendur, në stadiumin Filipi i dytë kanë qenë edhe sekretari i FFK-së, Eroll Salihu dhe menaxheri i reprezentacionit senior të Kosovës, Bajram Shala.
Kosova do të jetë mysafire e Maqedonisë më 26 mars 2020 në gjysmëfinalen e Ligës D të Kombeve. Gjysmëfinalja tjetër luhet mes Gjeorgjisë e Bjellorusisë. Fituesit e gjysmëfinaleve do të takohen në finale të PlayOffit të Ligës D të Kombeve dhe fituesi do të sigurojë biletën për EURO 2020.
Terreni ku do të luhet kjo finale, do të përcaktohet me short nga UEFA-ja.