RIVALI I GRUPIT
Kroacia qartëson shpërblimet për kualifikim në Botëror
23 September, 2016 @21:59
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kroacisë (HNS), Davor Suker, në një bisedë me kapitenin e reprezentacionit të Kroacisë, Luka Modric, kapitenin e dytë, Vedran Corluka, pastaj Mario Mandzukic - si përfaqësues të lojtarëve dhe selektorin Ante Cacic në emër të shtabit teknik, janë marrë vesh për ndarjen e shpërblimeve në rast të kualifikimit të Kroacisë për në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.
Kështu, në takimin e mbajtur në hotelin As, ata janë dakorduar që lojtarëve të reprezentacionit dhe shtabit teknik t’i ipet 40% e shpërblimit që ipet nga FIFA, ndërsa pjesa tjetër t’i ipet Federatës.
Ndërkaq, nga 40%-shi që e marrin lojtarët dhe shtabi teknik, ndarja do të bëhet 80-20 në dobi të lojtarëve, ka bërë të ditur Hrvatski Sport.
Kreu i HNS-së, Suker, i ka uruar sukses lojtarëve dhe gjithë stafit të Kroacisë, ndërsa dueli i radhës për ekipin e tyre luhet në Loro Boriçi të Shkodrës kundër Kosovës, më 6 tetor.
Kroacia ka barazuar në duelin e parë të Grupit I kualifikues ndaj Turqisë, 1-1, ashtu sikurse edhe Kosova që barazoi ndaj Finlandës 1-1 në Turku.