BODO GLIMT SHKRUAN HISTORI

Kundërshtari i Prishtinës, i jep humbjen historike Romës
21 October, 2021 @20:47
Skuadra që eliminoi Prishtinën me një gol më shumë pas dy ndeshjeve, Bodo Glimt, i ka dhënë Romës së Jose Mourinhos humbjen e dytë më të thellë në histori të skuadrës në gara evropiane.
Prishtina kishte mposhtur Bodon 2-1 në Kosovë, për tu eliminuar në ndeshjen e kthimit kur pësoi 2-0. E Roma sonte me humbjen 1-6 nga Bodoja, ka marrë humbjen e dytë më të thellë në histori në gara evropiane. Ekipi romak më parë ka humbur 1-7 nga Bayern dhe nga Manchester, ndërsa me 1-6 nga Barcelona! Me sonte, edhe nga Bodo.
Sonte, tmerri i ulkonjave në Norvegji nuk kishte fund, ndërsa Mourinho kishte vendosur nga minuta e parë qendërmbrojtësin Marash Kumbulla në ekip.
Bodo shfrytëzoi gjithçka për triumfin historik, 6-1 [Botheim 8, 52, Berg 20, Solbakken 71, 80, Pellegrino 78 - Carles Perez 28].
Me fitore, Bodo bëhet lider i Grupit C të Ligës së Konferencës me 7 pikë, ndërsa Roma përjetoi humbjen e parë në grup dhe kështu mbetet në gjashtë pikë, për t’u rrëzuar në vend të dytë të grupit.