OPINION
Kurbani
Shkruan: Luan Morina
20 March, 2019 @11:25
Vdekja është më afër se gjithçka në këtë jetë! Dhe kur kjo godet dikë pranë jush, siç i ka ndodh familjes së Fadil Vokrrit në 9 qershorin e vitit 2018, bota shembet!
Shembet vetëm për të afërmit derisa për të tjerët vazhdon të rrokulliset. Për disa edhe më shpejtë se që duhet sikur në mbledhjen e nënshkrimeve për kuvend të jashtëzakonshëm! Krejt çfarë kujtojmë nga ato ditë qershori janë postet e shumta plot pikëllim për Fadil Vokrrin, përfshirë edhe nga klubet si Fenerbahce e Partizani i Beogradit! Çfarë ka ndodhur në prapaskenat e FFK-së s’do ta dimë kurrë!
Shumë gjëra nuk kanë shkuar në rregull me FFK-në – skandali me bileta, me ndarjen e gjyqtarëve, me dizajnin e logos, ...! Njëra ndër këto parregullsi është edhe ofrimi i pesë pozitave për djalin e Fadil Vokrrit në FFK! Nuk është bezdisës ky fakt për neve kur çdo ditë po kemi nga dy-tri lajme për punësime nepotizmi nëpër institucione publike. Duhet të jetë, por ja që s’është!
2.
Është për t’u dhimbsur fakti që ende, tri vite pas pranimit në UEFA e FIFA, dhe njëzet vite pas luftës, ekipet shpresojnë tek hezitimi i lojtarëve kundërshtarë për të dhënë maksimumin për shkak të vonesave të pagave! Kjo ishte shpresa e Llapit me gjasë që të mposhtte Prishtinën!
Është për t’u dhimbsur fakti që ende, lojtarët paguhen si punëtor krahu me ‘bukë e transport’ të përfshirë në Superligën e Kosovës! Pa kontrata, pa sigurime, pa kontribute pensioni! Shpresa e vetme mbetet dalja në Evropë dhe pagesat eventuale që vijnë nga ndihmat e UEFA-s për vendet në zhvillim dhe ato pak të drejta për transmetimin e ndeshjeve nga të cilat mund të shohim gjithçka pos futbollit dhe atmosferës të mirëfilltë futbollistike!
3.
Është e turpshme që një kryetar i federatës sportive në Kosovë të sillet sikur një lider monark duke nisur nga çdo lajm që postohet në uebfaqen të përmendet me mbiemra superlativ, deri tek ofrimi i pozitave të punës sikur në një firmë private! FFK-ja bie në pah për shkak të suksesit së Kombëtares në futboll.
Kurse në gara të mëdha ndërkombëtare të sporteve, nga pothuaj të gjitha, më shumë kemi përfaqësues të federatave e familjarë të tyre e ministrive, se sa sportistë që na prezantojnë!
4.
Mbi të gjitha, është akti më i ultë qyqar të përdoret i biri i njërit nga emrat më të mëdhenj të sportit kosovar në shekullin e kaluar për qëllime të ndryshme!
Në njërën anë kemi kundërshtarët e FFK-së të cilët mbështeten në padrejtësinë që iu bë djalit të Fadil Vokrrit duke mos iu ofruar edhe pozita e kryetarit të federatës. Në anën tjetër kemi të tjerët që akuzojnë djalin e Fadil Vokrrit se po bën Pazar politik!
Dhe në krejt këtë mes kemi një të ri, i cili digjet në të dy anët duke provuar të mbroj veten, veprën e emrin e babait të tij në mënyrën më të drejtë të mundshme!
Nëse shohim intervistën e tij, mund të vërejmë një tentim për të shpjeguar tërë situatën sa më thjesht që është e mundur. Vërejmë kundërshtimin e tij për të gjitha padrejtësitë që i janë ofruar, dhe sinqeritetin në mospranimin e tyre!
Vet fakti që ai del gati dy muaj pas krejt kësaj tollovie dhe kur të dyja palët japin goditjet e para kundër njëra-tjetrës, të bëjnë të mendosh që është vërtetë kurbani i kësaj tollovie, ai që shfrytëzohet për interesat e të dyja palëve!
5.
Duke pasur parasysh rrethanat e të përfshirëve, është e pamundur që të arsyetosh njërën anë apo tjetrën. Qëllimi i kësaj ‘kryengritje’ është banal! Ka shumë skandale më të mëdha për të cilat nuk kanë bërë zë.
Sa i përket ndarjes së të hollave, duhet të dihen rregulloret e punës dhe vendimet të cilat mund të merren me rrugë ligjore. Zhurma të këtilla janë të padobishme dhe vetëm humbje kohe. E nga një popull që ka vepruar në ilegalitet me dekada është zor të dalë dikush që do të përkrahet në zbatimin e ligjit dhe rregullave. Kjo mundi t’i shkonte dore vetëm një njeriu me renome si Fadil Vokrri i cili mendoj se ka provuar të kënaq të gjithë duke i mbajtur në një peshore të barabartë. Dyshoj që kanë qenë të kënaqur me punën e tij të gjithë ata që i ka pasur pranë, por emri i Vokrrit ka qenë tepër i madh për t’iu kundërvënë. Mos të harrojmë që u deshën goxha disa vite të sigurohej një vend për Vokrrin në Federatë!
Federata e Futbollit të Kosovës edhe para Vokrrit ka qenë një organizatë e dyshimtë, edhe pas Vokrrit do të jetë e tillë. Por, le të jetë pa kurbane, aq më pak të birin e Fadilit.
6.
FIFA e UEFA nuk durojnë kësisoj pazare e dallavere! Nëse më e vogla gjë duket e dyshimtë, na pret pezullimi, diçka që nuk na shkon për shtati në këtë situatë politike që jemi. Mbi të gjitha, ndalen ndihmat dhe të hyrat nga garat! Tashti, para se të bëjnë ndonjë ndyrësire, është mirë të mendojnë këtë të dy palët, dhe dalëngadalë të përmirësohemi nga padrejtësitë në rekrutimin e moshave të reja nëpër klubet e ligës së parë deri tek kryetari i federatës!
i:
Shkrimet e autorit, nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë. |