PËRFAQËSUESJA

Kush është Bernard Challandes?
2 March, 2018 @12:35
Pas emërimit zyrtar si trajner i Kosovës, le të shohim se kush është Bernard Challandes.
I lindur në vitin 1951, Bernard Challandes pati karrierë të shkurtër si futbollist. Karriera e tij si mbrojtës përfundoi në vitin 1976, pra në moshën 25-vjeçare, ndërsa dy skuadrat me të cilat ai lujti ishin zvicrane, Le Locle dhe Urania Geneve Sport.
Pak pasi e mbylli karrierën si lojtar, Challandes e filloi karrierën e tij si trajner te skuadra Saint-Imier në vitin 1977, për të vazhduar më pas menaxhimin e shumë skuadrave të tjera, përfshirë këtu Le Locle, La Chaux-de-Fonds, Yverdon Sports, Young Boys, Servette, Zürich, Sion, Neuchatel Xamax dhe Thun.
Përveç karrierës si trajner i klubeve, Challandes ka përvojë edhe në drejtimin e kombëtareve. Fillimisht Challandes e drejtoi përfaqësuesen U21 të Zvicrës gjatë viteve 2001-2007, ndërsa më pas zvicrani u emërua trajner i Armenisë në vitin 2014. Aventura e tij te përfaqësuesja armene përfundoi pas dështimit për ta kualifikuar këtë përfaqësuese në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Pikërisht në kualifikimet ku Challandes ishte trajner i Armenisë, kjo përfaqësuese ishte në të njëjtin grup eliminator me Shqipërinë, e cila në një farë mënyre luajti rol në shkarkimin e zvicranit nga posti i trajnerit.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Challandes ka drejtuar gjithsej 201 ndeshje, prej të cilave 144 kanë qenë në Superligën e Zvicrës, 24 në Europa League, 17 në Kupën e Zvicrës, 8 në eliminatore drejt Kampionatit Evropian, 6 miqësore të shteteve dhe 2 në Champions League.
Nga 201 takimet e drejtuara, Challandes ka 77 fitore, 49 barazime dhe 75 humbje.
Sukseset më të mëdha si trajner Challandes i arriti me skuadrat e Zürichut dhe Sionit. Me Zürichun trajneri i ri i Kosovës u shpall kampion i Zvicrës në sezonin 2008/2009, kurse me Sionin e fitoi Kupën e Zvicrës në sezonin 2010/2011.
Që nga viti 2015, Challandes është skaut (zbulues i lojtarëve) i skuadrës së Baselit, skuadrës bindshëm më të mirë zvicrane në dekadën e fundit. Detyra e trajnerit në fjalë si skaut i Baselit do të vazhdojë edhe gjatë kohës sa ai do të jetë trajner i Kosovës.
Përveç ndeshjeve miqësore, ndeshjet zyrtare si trajner i Kosovës Challandes i fillon në muajin shtator në kuadër të Ligës së Kombeve, ku ndeshjen e parë do ta ketë përballë Azerbejxhanit më 7 shtator.
Se a do të jetë i suksesshëm edhe me Kosovën, mbetet të shihet në vazhdim!