MEDIA TALK
“Lewandowskit” i përfundon kontrata, tash në bisedime…
16 May, 2021 @22:54
Golashënuesi më i mirë i Ligës së Parë të Kosovës, Albion Rrahmani, që shënoi 16 gola për Malishevën këtë stinor dhe e bëri kampion të Ligës së Parë A duke qenë ndër protagonistët kryesorë të skuadrës në inkuadrimin e tyre historik në Superligë - tashmë ka të përfunduar kontratën me klubin.
Vetë Rrahmani, që u bë i famshëm me nofkën “Lewandowski i Malishevës” vendosur nga komentatori i TV Malishevës, ka bërë të ditur se me ditën që përfundoi kampionati atij i ka skaduar marrëveshja me skuadrën.
E sa i përket planeve për të ardhmen, Rrahmani 21-vjeçar ka bërë të ditur se tash është koha që ulet për të biseduar për të ardhmen e tij.
Rrahmani ka thënë në emisionin sportiv të K10, se së pari do të takohet me drejtuesit e Malishevës për të parë mundësitë për vazhdim, pas së cilës mund edhe të shqyrtohen ofertat tjera që mund të arrijnë.
Kujtojmë, Rrahmani para se të vinte te Malisheva, ka qenë golashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Kosovës, për të bërë të njëjtin sukses edhe në Ligë të Parë — dhe tashmë me synim, pse jo, edhe në Superligë.