NË PRIZREN
Liria me dy përforcime të huaja
28 January, 2019 @22:49
Liria ka zyrtarizuar dy përforcimet e para të huaja të afatit kalimtar dimëror.
Bardhezinjtë e Prizrenit sot kanë prezantuar dy futbollistë të ardhur nga Venecuela në klub.
Fjala është për dy mesfushorë, që pritet të ndikojnë pozitivisht në lojën e ekipit, dhe siç ka bërë të ditur njoftimi i ekipit, janë përzgjedhur nga vetë trajneri italian Vincenzo Alberto Anesse.
Abel Guillermo Ramírez Valdivia, është njëri nga mesfushorët. Futbollisti është 181 centimetra i gjatë dhe është 29 vjeç.
Ai luan në qendër të mesfushës, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e ekipit Margarita FC në ligën e dytë të Venecuelës.
Futbollisti tjetër i ardhur në “Përparim Thaqi” është Manuel Luís Jiménez Vivas. Mesfushori në fjalë është 23 vjeç dhe 182 centimetra i gjatë, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e ekipit Gran Valencia.
Të dy kanë ardhë si lojtar të lirë te Liria dhe pritet të qëndrojnë me ekipin deri në fund të këtij stinori.
Liria ka përfunduar vjeshtën në Superligë në pozitën e dhjetë (pozitë kjo që dërgon në PlayOut). Bardhezinjtë shpresojnë që të shpëtojnë stinorin duke përfunduar së paku në pozitën e tetë, që garanton mbijetesën.