DRITA-FERIZAJI

Livoreka vendos, Drita pranë mbijetesës!
30 April, 2017 @17:04
Sulmuesi i ardhur në afatin kalimtar të janarit prej Feronikelit, Përparim Livoreka, i ka sjellë fitore në duelin jetik Dritës ndaj Ferizajit sot në Gjilan.
Livoreka është gjendur në vend të duhur në moment të duhur, atëherë kur Ferizaji kishte marrë barazimin dhe kërkonte më shumë.
Por, me Nderim Nexhipin me përvojë në ekip, që kishte asistuar edhe në golin e parë të shënuar nga Denis Haliti, Drita çoi qetë minutat e fundit edhe përkundër se kishte 5 minuta shtesë në lojë.
Milan Ristovski, ngjalli Ferizajin kur barazoi me të filluar pjesa e dytë e ndeshjes, por mysafirët nuk arritën të nxjerrin pikë këtu.
Drita tashmë del për herë të parë mbi Ferizajin këtë vit, duke kapërcyer në pozitën e nëntë dhe udhëton në Prizren në përballje jetike ndaj Lirisë, rivalit direkt për barazh.
Ferizaji, ka ndeshje të rëndësishme gjithashtu, pasi pret Trepçën e këndellur.