PODUJEVË
Llapi jep sinjale pozitive për fushën natyrale
1 September, 2021 @1:38
Skuadra e Llapit mbrëmë ka bërë të ditur se fusha e stadiumit në Merdarë ka filluar të përmirësohet dhe pritet të jetë plotësisht e gatshme pas renovimit të fundit të barit natyral aty.
Llapi, që këtë verë ka debutuar në gara evropiane pasi që fitoi Kupën e Kosovës në stinorin e kaluar dhe më pas fitoi edhe Superkupën, ende nuk ka fituar asnjë ndeshje këtë stinor në Superligë, por as nuk është mposhtur.
Ekipi që drejtohet nga Tahir Batatina ka regjistruar dy barazime dhe në ndeshjen e parë të zhvilluar si vendas, sipas trajnerit ka hasur në vështirësi të lojës në terrenin vendas për shkak të barit jo mirë të rregulluar.
E tash, për xhiron e tretë në përballjen ku llapjanët presin Feronikelin, pritet të regjistrojnë fitoren e parë të stinorit.
“Pas disa ditëve punë intensive, fusha e stadiumit në Merdarë në të cilën i zhvillojmë ndeshjet si vendas, ka filluar të përmirësohet dhe pamjet e para janë një sinjal i mirë se kjo fushë do të jetë krejtësisht ndryshe në ndeshjet e radhës të cilat rifillojnë nga data 12 shtator,” ka shkruar KF Llapi në njoftimin e fundit.