SELEKTORI I TURQISË: MIRCEA LUCESCU
Lucescu vlerëson futbollistët shqiptar që luajnë jashtë
12 November, 2017 @16:36
Trajneri rumun i Turqisë, Mircea Lucescu, ka mbajtur sot konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore kundër Shqipërisë.
Lucescu, që erdhi në vend të Fatih Terimit në krye të reprezentacionit për të përmirësuar rezultatet, nuk arriti të dërgojë Turqinë në barazh për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” nga grupi pjesë e së cilës ishte edhe Kosova.
“Jemi duke krijuar gjeneratën e re të futbollit turk. Për të ardhur një gjeneratë e re në pah, duhet durim dhe kohë,” ka thënë fillimisht Lucescu, që do të drejtojë Turqinë nesër ndaj Shqipërisë në duelin që nis në 18:30 në Antalja.
“I kam ftuar edhe lojtarët me përvojë, të cilët do t’ia nisin ndeshjes, ndërsa të rinjtë do t’i provojë në 20 minutat e fundit të ndeshjes,” ka theksuar rumuni.
Sa i përket Shqipërisë, Lucescu u ka tërhequr vërejtjen lojtarëve dhe mediave të Turqisë.
“Kundërshtarët e nesërm kanë 9 lojtarë të tyre që luajnë në Itali. Shpresoj që edhe lojtarët e Turqisë të dalin më shumë në numër për të marrë përvojë jashtë,” ka thënë ai.