ARMANDO SADIKU
Ndeshja e fundit e vitit, për ngritje
11 November, 2017 @15:39
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që pat shënuar golin historik të Shqipërisë në EURO 2016, Armando Sadiku, në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Turqisë ka thënë se grumbullimi disa ditorë në Antalja ka qenë shumë i qëlluar për kuqezinjtë.
“Kjo është ndeshja e fundit e jona për këtë vit. Ky grumbullim i ka shërbyer shumë skuadrës. Kemi pasur kohë për të njohur me njëri-tjetrin edhe më shumë, pasi që ka edhe ardhje të reja tashmë në kombëtare,” ka thënë fillimisht Sadiku, që luan për ekipin e Legias në Poloni, ku deri tash ka shënuar 2 gola, në 12 ndeshje.
Më tej, elbasanasi 26 vjeç që ka 9 gola për Shqipërinë në garat zyrtare dhe 6 të tjera derisa ka qenë U21, ka theksuar se ndeshja ndaj Turqisë do t’i shërbejë kuqezinjëve për të parë ngritjen pas ndeshjeve kualifikuese për “Rusia 2018”.
“Sa i përket miqësores ndaj Turqisë, ne do të japim maksimumin në përballje për të parë ku kemi arritur pas ciklit kualifikues. Të shohim sa jemi rritur si ekip. Ndërsa kjo do të jetë pozitive edhe për trajnerin që tashmë na njeh edhe më mirë,” ka cekur ai.
Ndeshja ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë zhvillohet në Antalja të Turqisë, të hënën me fillim prej orës 18:30 me kohën tonë.