OLD TRAFFORD

Man Utd nuk shpëton
9 February, 2014 @18:59
Fulham ka qenë shumë i mirë sot në Old Trafford ndaj Manchester Unitedit. Një gol i shpejtë i Steve Sidwellit, pas një krosimi maestral të gjermanit, Lewis Holtby, i ka dhënë epërsinë londindezëve në Manchester.
E derisa David Moyes bërtiste që ekipi të kërkonte më me ngulm barazimin, kjo gjë nuk erdhi derisa në ndeshje u fut kosovari Adnan Januzaj në minutën e 70-të të takimit, kur loja e djajve të kuq u ndërrua.
Ishte Robin Van Persie që shënoi për barazim, pas asistimit të Juan Matës, derisa një minutë pas këtij goli edhe Michael Carrick shënoi për t’i gëzuar pa masë tifozët në Old Trafford.
E derisa çdonjëri me fanellë të Manchesterit priste fitoren e tretë me radhë në shtëpi sonte, për t’i zhgënjyer ata u përkujdes ish sulmuesi i përfaqësueses angleze, Darren Bent, duke shënuar në fund të kohës shtesë të takimit për përfundimtaren 2-2.
Pika e marrë sot për Fulhamin ka qenë tejet e rëndësishme pasi që janë në vend të fundit të renditjes në Premier League dhe me ngulm po bëjnë gjithçka për të mbijetuar.
Rezultatet dhe tabela aktuale.