PLAYOFF I LIGËS SË KOMBEVE
Maqedonia-Kosova, do të ketë edhe VAR
24 November, 2019 @10:49
Përballja gjysmëfinale e PlayOffit të Ligës D të Kombeve ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës përveç gjyqtarëve të zakonshëm në një ndeshje kualifikuese, do të ketë edhe ndihmën e video-referit, VAR.
Mediat maqedonase kanë zbuluar se VAR në Maqedoni do të instalohet gjatë muajit shkurt-mars, ndërsa debutimi i VAR-it është planifikuar të bëhet pikërisht më 26 mars 2020, në Todor Proeski Arena të Shkupit.
Njëkohësisht, kjo konfirmon edhe pohimin e djeshëm se ndeshja Maqedonia-Kosova do të luhet në Shkup, pasi që Strumica nuk ka kushte teknike për të plotësuar kërkesat e VAR-it, sqaron TopSporti.com.
Siç dihet VAR në rajon është përdorur vetëm në Zagreb e Beograd, pasi që ekipet e tyre garojnë në Ligë të Kampionëve. Ndërsa UEFA, siç kuptojnë mediat maqedonase të afërta me Federatën e tyre, nuk dëshiron të vë në rrezik asgjë sa i përket pjesës përfundimtare kualifikuese për në EURO 2020.