SPECIALE
Shqipërinë, vetëm një fitore e ndau nga PlayOffi i Ligës së Kombeve drejt EURO 2020
22 November, 2019 @22:11
Kishte nisur epoka e Christian Panuccit me kuqezinjtë, ndërsa starti i mirë i tyre me fitore në Ligë të Kombeve 1-0 ndaj Izraelit dha shpresa.
Por, pastaj pësuan rezultatet negative dhe kuqezinjtë përfunduan Grupin C1 me një fitore të vetme, që i la të fundit në këtë grup pas Skocisë e Izraelit.
Sot, të dy këta rivalë të Shqipërisë pas moskualifikimit direkt për në EURO 2020 nga kualifikimet e rregullta, janë pjesë e PlayOffit të Ligës së Kombeve dhe do të kenë rastin e dytë për të siguruar një biletë për garën më madhore evropiane.
E Shqipërisë, do t’i duhej vetëm edhe një fitore nga ky grup, që sot të ishte pjesë e fazës së PlayOffit. Me gjashtë pikë të fituara dhe me një golaverazh pozitiv, kuqezinjtë do të ishin së paku më të mirë se Izraeli në renditje, e në anën tjetër potencialisht edhe Hungaria, që gjithashtu me vetëm 6 pikë të fituara nga Grupi C2 siguroi plasmanin në PlayOff të Ligës së Kombeve.
Krejt kjo, posaçërisht kur kihet parasysh loja e mirë e bërë në Izrael dhe disfata atje - por futbolli, për këtë është futboll dhe kuqezinjëve fati do t’i duhet veçanërisht në edicionin e radhës së Ligës së Kombeve - që mund t’ua hap rrugën alternative për Botërorin Katari 2022, nëse kjo nuk sigurohet nga kualifikimet e rregullta, që është më vështirë sesa evropiani, pasi që në Botëror marrin pjesë shumë më pak ekipe nga Evropa sesa në EURO.