RRUGA DREJT EURO 2020
Dihet edhe PlayOffi i Ligës B të Kombeve
21 November, 2019 @23:57
Pas Ligës D të Kombeve, ekipet e së cilës kanë siguruar PlayOffin që në nëntorin e kaluar, tashmë dihen edhe anëtarët e PlayOffit të Ligës B të Kombeve.
Katër skuadrat që do të luftojnë për një vend në EURO 2020 nga Liga B e Kombeve janë Bosnja e Hercegovina - Irlanda e Veriut dhe Sllovakia - Irlanda.
Sllovakia ka shkuar si vendi i fundit i Grupit B1, pasi që Ukraina e Çekia janë kualifikuar direkt në EURO2020 nga kualifikimet e rregullta.
Bosnja e Hercegovina si fituese e Grupit B3, pasi që s’ka siguruar biletën nga kualifikimet e rregullta. Ndërsa nga po ky grup është përbiruar edhe Irlanda e Veriut, pasi që Austria ka shkuar direkt dhe nga Grupi B2 kanë shkuar të gjitha skuadrat me kualifikime të rregullta (Suedia, Rusia e Turqia).
Nga Grupi B4 ka shkuar Irlanda, pasi që Danimarka fituese e këtij grupi dhe Uellsi i dyti, kanë shkuar nga kualifikimet e rregullta.
Ndeshjet Bosnja e Hercegovina - Irlanda e Veriut dhe Sllovakia - Irlanda luhen më 26 mars, ndërsa fituesit e tyre takohen në finale, vendi i zhvillimit i së cilës do të përcaktohet përmes shortit.
Në Ligën A PlayOffi është i sigurt për Islandën, por kundërshtarët e saj (deri në finale) do të përcaktohen pas shortit (Bullgaria, Hungaria, Izraeli, Rumania).
Ndërsa në Ligën C të Kombeve dihet një gjysmëfinale Norvegjia - Serbia. Kurse gjysmëfinalisti tjetër, Skocia, do të ndeshet me njërin nga katër skuadrat e lartpërmendura, që me short do të përcaktohen (Bullgaria, Izraeli, Hungaria dhe Rumania).
Siç dihet, nga Liga D e Kombeve gjysmëfinalet janë: Maqedonia - Kosova dhe Gjeorgjia - Bellorusia.