ZVICERANI: GJASAT 50 ME 50
Pas inspektimit, Challandes flet për Maqedoninë
22 November, 2019 @0:21
Bernard Challandes ka bërë të ditur se ka parë Maqedoninë në përballje ndaj Izraelit, por një ndeshje nuk mjafton për të dhënë një konkludim konkret për kundërshtarin e PlayOffit të Ligës D të Kombeve.
Në një intervistë dhënë KTV-së, zvicerani ka thënë fillimisht se Maqedonia ka cilësi në lojën e saj dhe ekip, ndërsa ka veçuar futbollistin e Napolit dhe bashkëlojtarin e Elseid Hysajt, Elif Elmas.
“Ai është një lojtar shumë interesant,” ka thënë ndër të tjera Challandes për shkupjanin Elmas, që njëkohësisht ka qenë edhe golashënuesi më i mirë i maqedonasve në rrugëtimin e tyre kualifikues për EURO2020.
Sa i përket gjasave për kualifikim në finale të Ligës D të Kombeve, Challandes ka thënë se mundësitë aktualisht janë 50 me 50. Por, shpresa e tij qëndron në faktin se lojtarët e rëndësishëm të 11-shes së parë të Kosovës, Arbër Zeneli, Vedat Muriqi, Hekuran Kryeziu e Herolind Shala - do të jenë të gatshëm deri në mars 2020 për të qenë prezent në këtë ndeshje, e pas kësaj, nëse kalojmë tutje, do të flasim për kundërshtarin e radhës.