KOLUMNE: FUTBOLLISTËT QË SHKRUAN HISTORINË
Mario Kempes
Shkruan: LUAN MORINA
13 June, 2018 @13:39
Ernie Brandts është një emër që kurrë nuk keni dëgjuar dhe nuk do ta dëgjoni pas këtij paragrafi. Mbrojtësi i PSV-së për nëntë vite, transferuar një vit para Kupës së Botës në Argjentinë, është lojtari i vetëm që ka shënuar edhe autogol edhe gol në një ndeshje të Kupës së Botës. Kjo i kishte ndodhur atij në ndeshjen kundër Italisë në rrethin e dytë të grupeve. Arie Haan kishte shënuar golin e fitores më vonë, e Johann Cruyff ishte duke e shikuar ndeshjen në televizor. Në Spanjë ose Holandë, ndoshta.
Një vit para Kupës së Botës, Johann Cruyff, ishte i lidhur për karrige, me gruan e tij në karrigen tjetër, derisa fëmijët ishin në një apartament tjetër në Barcelonë. Kishte një armë të drejtuar në kokën e tij. Çfarë kishte ndodhur, si kishte përfunduar kjo ngjarje, nuk ka shumë detaje, ashtu siç ka mbajtur të fshehtë gjithçka Cruyff deri vonë në jetën e tij si pensionist edhe nga zeja e trajnerit. Pas kësaj ngjarjeje, Cruyff kishte pasur përcjellje policore për disa muaj, gjatë kohës sa luante për Barcelonën. Si pasojë kishte refuzuar të luante në Kupën e Botës në Argjentinë, vitin pasues.
Konspiracione të ndryshme ishin shfaqur atëbotë, dhe më pas. Ato ende vazhdojnë, dhe njëra ndër kryesoret ishte kërcënimi i juntës ushtarake që sundonte Argjentinën atëbotë. Pasi kishin humbur finalen katër vite më parë, holandezët dëshironin të sillnin titullin e parë me gjeneratën që njihet ndër më të mirat, por më të pafatat në histori të futbollit. Cruyff ishte pjesë e kualifikimeve dhe u pensionua një vit para Kupës së Botës, pasi kishte ndihmuar Holandën të kualifikohej për në Argjentinë. Tregimi për kidnapimin e tij, sulmin e tij në shtëpi, ishte publikuar nga vet ai, nja tridhjetë vite pas, derisa në momentet e atëhershme, më së shumti fajësohej gruaja e tij, të cilën mediat e emëronin si vula në vendimet e Cruyffit, duke e kthyer në një Yoko Ono futbollistike të viteve të ‘70ta.
Pos Cruyffit, Holanda vinte e kompletuar me Haan, Krol, Rensenbring, Rep, Neeskens, dhe të tjerët. Si nënkampion aktual, Holanda ishte bartëse duke i rënë të luaj në grupin e katërt, me Iranin që bashkë me Tunizinë debutonte në Kupën e Botës; Perunë dhe Skocinë. Rensenbrink kishte shënuar het-trik ndaj Iranit, para se të barazonin pa gola me Perunë. E derisa jug-amerikanët do të kalonin grupin si të parët, Holanda do të mposhtej nga Skocia me një gol nga Kenny Dalglish dhe dy gola të Archie Gemmill, i cili pas penalltisë do të shënonte golin më të bukur të Skocisë në Kupën e Botës. Gol-dallimi do të kualifikonte holandezët në rrethin e dytë, i cili përsëri ishte i ndarë në dy grupe me nga katër ekipe.
Këtu holandezët të udhëhequr nga Ernst Happel do të demolonin vendlindjen e trajnerit të tyre, Austrisë me 5-1, para se të luanin baras me Gjermaninë Perëndimore, 2-2. Një gol i Paolo Rossit kundër Austrisë do t’i vendoste italianët në numër të njëjtë të pikëve, për të vendosur finalen me Holandën, tri ditë më pas. E Brandts që shënoi autogol, u kthye për të shënuar golin e barazimit, para se Haan të siguronte fitoren dhe finalen për Holandën. Në anën tjetër Gjermania Perëndimore, kampione aktuale, kthehej në shtëpi pas humbjes 2-3 nga Austria.
Në grupin B, Polonia ishte në mesin e tri kombëtareve të Amerikës së Jugut. Peru pasi kishte humbur nga Brazili dhe Polonia, ndeshjen e fundit e priste kundër Argjentinës. Vendasit kishin mposhtur polakët në ndeshjen e parë me dy golat e Mario Kempes, para se të luanin pa gola me Brazilin. Në xhiron e fundit në grupe, Brazili do të luante 150 minuta para Argjentinës. Me 3-1, brazilianët mposhtën Poloninë e Latos. Argjentina duhet të fitonte me rezultat 4-0 që të siguronte finalen. Kempes shënoi dy herë, ngjahsëm si Luque, e Tarantini e Houseman shtuan nga një gol duke siguruar finalen në atë që njihet si njëra nga ndeshjet më të dyshimta të Kupës së Botës.
Henry Kissinger, në konspiracione të ndryshme njihet sikur njeriu më i përgjakur në botë pas rënies së nazizmit dhe Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore. Nuk është sekret që ai fajësohet që ka pasur ndikim direkt në mundësimin e miliona të vrarë para e pas, dhe gjatë kohës sa ishte sekretar i shtetit të SHBA-ve. Njëra nga kasaphanet e Kissinger, vlerësohet edhe Argjentina, ku ishte organizuar grusht-shteti i djathtistëve kundër presidentes së atëhershme, Isabel Perron. Vet Kissinger, thuhet se kishte inkurajuar liderët ushtarakë që të ‘pastronin’ kundërshtarët e tyre, të cilët gjatë shtatë viteve të radhës do të ‘zhdukeshin’ ose vriteshin. Në mesin e 30 mijë persona me këtë fat ishte dhe presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit. Junta kishte ndodhur dy vite para Kupës së Botës, për të përfunduar në vitin 1983. Shumë vende kishin shprehur gatishmërinë për bojkotimin e këtij edicioni, por në fund, asnjëra nga ekipet e kualifikuara nuk e kishte bërë këtë.
Finalja do të vonohej, së pari nga vendasit të cilët do të paraqiteshin me vonesë në fushë, të cilën gjë holandezët do ta konsideronin si ‘lojë mendore’, para se të nisnin të ankoheshin tek gjyqtari italian, Sergio Gonella që gjipsi në dorën e thyer të Rene van de Kerkhof nuk ishte në rregull, ndonëse holandezi do të luante disa ndeshje me të njëjtin gjips gjatë kësaj Kupe të Botës. Holandezët kërcënuan se do të lëshojnë fushën, derisa gjyqtari detyroi van de Kerkhofin të mbathë pajisje shtesë.
Mario Kempes, i quajtur ‘matadori’ për shkak të flokëve të gjata, ishte i vetmi lojtar që luante jashtë Argjentinës e që ishte ftuar nga trajneri Cesar Luis Menotti, i cili kishte marrë kritika të shumta nga mediat për shkak të lënies jashtë formacionit Diego Armando Maradonën, ndonëse vetëm 17 vjeçar. Kempes në finale do të shënonte dy gola për të kaluar legjendën peruane, Teofilo Cubillas, dhe kundërshtarin në finale, Rob Rensenbrink për të marrë këpucën e artë. Nanninga kishte barazuar rezultatin duke shpërthyer më në fund murin e Ubaldo Fillol. Portieri argjentinas ishte i jashtëzakonshëm atë ditë, në atë që ishte një finale nën një atmosferë tensionuese, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Fjalët nga ekipi holandez shprehnin tensionin duke thënë disa nga lojtarët që ‘nuk besonim se do të mund të dilnim edhe fitues edhe të gjallë nga ai stadium’.
Në fund, fituesen dolën argjentinasit, të cilët do të shënonin me Kempesin, i cili çau mbrojtjen holandeze për të marrë këpucën e artë, derisa Bertoni do të vuloste fatin e holandezëve. Kapiteni Daniel Passarrella, i cili përgjatë tërë Kupës ishte një lider i vërtetë, do të ngrite trofeun e parë për Argjentinën, gjersa holandezët do të mbesnin të ëndërronin edhe dyzet vite pas. Edhe një gjeneratë e artë po shkonte në pension pa u bë kampion bote. Para tyre kjo do t’u ndodhte hungarezëve.