EIBAR - REAL MADRID
Me kontratën e re, turpërohet
24 November, 2018 @16:54
Ishte kjo ndeshja e parë e Santiago Solarit si trajner i Real Madridit me kontratë afatgjate. Mirëpo, Eibar nuk mori parasysh asgjë dhe shënoi fitore të parë ndaj mbretërve, bindshëm 3-0.
Solari erdh si trajner i përkohshëm. Debutoi me fitore dhe vazhdoi me këtë ritëm edhe në tre ndeshje tjera. Kryesia u bind, i dha kontratë afatgjate. E sot?
Me të dhënë golin e parë Eibar përmes Gonzalo Escalantes (16’) mori krahë dhe luajti edhe më mirë sesa në fillim për të çuar ndeshjen suksesshëm deri në fund, për 3-0 përfundimtare (Sergi Enrich 52’, Kike 57’).
Pas golave të pësuar, Solari futi për herë të parë nën drejtimin e tij në ndeshje Iscon, pasi që e nxorri Luka Modricin nga loja. Por, ndërrim në rezultat nuk kishte dhe kështu Real Madrid nuk arriti të shfrytëzojë një mundësi shumë të mirë për t’iu afruar kreut, duke ditur se sonte luhet derbi ndërmjet Atletico Madridit dhe Barcelonës.