ZEKIRIJA RAMADANI

Merr përgjegjësinë për “katastrofën”
11 September, 2021 @22:31
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, e ka cilësuar katastrofale fillimin e stinorit me ekipin e tij.
Dhe për këtë, ka thënë se, e kanë bërë vetë.
Në deklaratën pas ndeshjes së humbur të sotme nga Drenica, shkupjani Ramadani, që bëri Prishtinën kampione pas shtatë vitesh, ka thënë se ai mban përgjegjësinë për këtë start katastrofal të ekipit të tij.
“S’besoj që ka ndikuar angazhimi në gara evropiane. Në tri ndeshje të marrim një pikë, kjo është katastrofë që e kemi bërë vetë. Për këtë, përgjegjësinë maksimale e mbajë unë,” ka thënë Zeko, siç thirret ai shkurt nga miqtë.
Prishtina pas tri ndeshjeve të para të zhvilluara në edicionin 2021/22 të Superligës ka regjistruar një barazim dhe dy humbje.
Bardhekaltërit barazimin e kapën në xhiron e parë ndaj Malishevës, ndërsa më pas u mposhtën nga Ballkani në shtëpi dhe sot nga Drenica në Bajram Aliu. Në xhiron e radhës, ata presin Gjilanin që drejtohet nga Ismet Munishi.