PAS HUMBJES SË SOTME

Vjen shkarkimi i parë në Ligën e Parë
11 September, 2021 @22:14
Vetëm dy ndeshje të zhvilluara në Ligën e Parë B dhe i gjithë shtabi teknik i klubit që ra në stinorin e kaluar nga Superliga, Arbëria, është shkarkuar.
Njoftimin e ka dhënë para pak minutash faqja zyrtare e klubit, ndërsa ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të njoftojë për hapat që klubi do t’i ndërmerr më tej.
Xhiroja e dytë e Ligës së Parë B ka filluar sot dhe përfundon nesër, ndërsa Arbëria në dy ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar një humbje dhe një barazim.
“Kryesia e Klubit Futbollistik Arbëria në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur, për shkak të performancës në dy lojët e para e ka liruar Shtabin teknik nga detyra. Kryesia e falenderon shtabin teknik për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Ditëve në vijim ju informojmë për hapat tutje që do të ndërmarrë klubi,” ka shkruar njoftimi i KF Arbëria.
Arbëria, në stinorin e kaluar kishte debutuar në Superligë të Kosovës dhe kishte pasur start tepër të mirë nën drejtimin e trajnerit Arbnor Morina, duke kaluar ciklin e parë të ndeshjeve në pjesë të madhe të saj në krye të klasifikimit të Superligës.
Gradualisht, skuadrat tjera morën veten dhe Arbëria në fund të stinorit pa veten të rënë nga Superliga me vetëm dy pikë më pak se skuadrat që shpëtuan.
Arbëria drejtohej deri tash nga trajneri Jeton Gashi.