DRITA
Ardian Nuhiu, trajner i Dritës (djathtas) gjatë konferencës së sotme.
Nuhiu: Na duhet kohë
20 August, 2021 @14:21
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, në konferencën për shtyp para ndeshjes së Dritës para fillimit të stinorit të ri të Superligës ka bërë të ditur se atij dhe ekipit do t’i duhet kohë për të ambientuar lojtarët dhe për t’i bërë më të kompnouar.
Kjo pasi që ekipi ka larguar nga skuadra 10 lojtarë, ndërsa ka shtuar në skuadër 11 përforcime.
“Po, është e natyrshme. Kemi bërë ndërrime të mëdha te lojtarët dhe tash do të duhet kohë për t’i ambientuar lojtarët në lojën ekipore. Për asnjë trajner kjo nuk është e lehtë, prandaj do të na duhet kohë për tu komponuar mirë,” ka thënë ndër të tjera Nuhiu.
Drita është bërë ekipi i parë nga Superliga e Kosovës që ka nisur stinorin me konferenca për shtyp para ndeshjes, duke u bërë kështu shembull i mirë për të gjitha skuadrat. Gjilanasit kanë bërë të ditur se kjo gjë do të vazhdojë gjatë gjithë kampionatit, ndërsa për mediat do të jenë të hapura para secilës ndeshje, siç edhe po ndodh sot.
Nuhiu është pyetur edhe për rivalët potencialë për titull, por ai nuk ka cekur ndonjërën.
“Ka shumë ekipe të mira dhe që luftojnë për titull, prandaj është vështirë të thuhet se cili do të jetë rivali ose kundërshtari kryesor aty, ka disa,” ka thënë ndër të tjera Nuhiu.
Drita do të startojë stinorin e ri në Superligë nesër (21 gusht) në përballje ndaj Feronikelit, që është në krizë.