KOLUMNE: FUTBOLLISTËT QË SHKRUAN HISTORINË
Pele 2.0 - 1962
Shkruan: LUAN MORINA
6 June, 2018 @0:00
Futbolli olimpik i dedikohej më shumë futbollistëve amatorë, diçka që binte ndesh me Asociacionin e Futbollit të Anglisë. Nga katër ‘Kombet Vendore’ të futbollit, vetëm Anglia kishte qenë pjesëmarrëse në Londër në vitin 1908. Deri në Los Anxheles, turneu olimpik i futbollit kishte pasur shtatë fitues radhazi nga Blloku Lindor. Njëra nga këto fituese ishte Jugosllavia e vitit 1960. Pasi kishin mposhtur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë në grupe, jugosllavët kishin barazuar 1-1 me vendasit, Italinë. Fituesi ishte përcaktuar me short, dhe në finale Jugosllavia fitonte me rezultat 3-1 ndaj Danimarkës. Pjesë e kësaj ekipe ishte Fahrudin Jusufi.
FAHRUDIN JUSUFI
I lindur në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, dy muaj e një javë pas pushtimit të Polonisë nga nazistët, Fahrudini rridhte nga një familje e kombësisë gorane. Karrierën e kishte nisur si 18 vjeçar në Partizanin e Beogradit, ku kishte luajtur si mbrojtës krahu. Legjenda thotë që në stërvitjet e klubit jugosllav, Jusufi shiste fara, dhe kur topi devijohej jashtë fushës tek ai, Jusufi e kthente në fushë me një goditje mbresëlënëse që kishte shtyrë trajnerin e atëhershëm, hungarezin Geza Kalocsay ta thirrtë në stërvitje. Tri vite më pas Jusufi do të merrte të artën në Olimpiadën e Romës, e në vitin 1962, atij do t’i ikte e bronzta e cila do të shkonte tek vendasit, Kili.
Në Kili, për herë të parë mesatarja e golave në një Kupë të Botës do të binte nën 3.00 gola për ndeshje, gjersa përballjet do të karakterizoheshin me një brutalitet të paparë. Brutaliteti kishte eskaluar në ndeshjen e kujtuar si ‘Beteja e Santiagos’, kur në rrethin e parë të grupeve ishin takuar vendasit e Kilit dhe Italia.
RREGULLI I RI
Për të nxitur ekipet të luajnë futboll më sulmues, me më shumë gola, FIFA kishte vendosur të merrte parasysh mesataren e golave të shënuar në rast të pikëve të barabarta. Kjo kishte pasur efekt të kundërt duke shtyrë ekipet sa më shumë të përdornin taktikën e katanaços e cila ende përdoret gjerësisht në futbollin italian. Sistemi me dorë të mbyllur ka vetëm një qëllim për ekipin që e përdor – të mos humb, të mos pësoj gol, e të përdor kundërsulmet eventuale për të shënuar një gol të vetëm. Sot mund ta vërejmë më së miri tek trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.
Me lojën defensive dhe pak golat vjen kotësia dhe ajo më së miri vërehet me ashpërsimin e lojës. Një ashpërsim i tillë kishte lënë Pelen jashtë fushës së futbollit në Kili që nga ndeshja e dytë e Brazilit, kundër Çekosllovakisë e cila ndeshje kishte përfunduar pa gola. Në të parën, në fund të majit të vitit 1962, Pele kishte shënuar bashkë me Mario Zagallon në fitoren 2-0 ndaj Meksikës. Me lëndimin e Peles, timonin e ekipit e mori Amarildo i cili në ndeshjen e fundit të grupit shënoi dy herë kundër Spanjës. Meksika do të mposhte Çekosllovakinë, por evropianët do të kalonin në rrethin e dytë pasi më parë kishin mposhtur Spanjën me rezultat minimal, 1-0, ngjashëm siç kishte bërë Spanja ndaj Meksikës.
HERA E FUNDIT ME EUROPIANË E AMERIKANË
Ishte hera e fundit në një Kupë të Botës që do të kishte ekipe vetëm nga Evropa dhe Amerika. Bullgaria dhe Kolumbia debutonin në Kupën e Botës, që të dyja të eliminuara në rrethin e grupeve. Ishin katër grupe me nga katër ekipe, me dy të parat që kalonin në çerekfinale. Vend në çerekfinale nuk kishte për Argjentinën, të cilët përsëri ishin mënjanuar qysh në grupe. Alfredo Di Stefano i Realit të Madridit, nuk kishte mundur të paraqitej për Spanjën pas lëndimit të muskulit, duke e bërë këtë Kupë të Botës të mungonte edhe një yll tjetër krahas Peles.
Ndonëse Pele mungonte, Garrincha ishte aktiv dhe me dy golat e tij dhe një të Vavas në çerekfinale do të binte Anglia. Jugosllavia do t’i hakmerrej gjermanëve për dy eliminimet e mëparshme, me një gol të vetëm në ndeshje, me të cilën mënyrë Çekosllovakia do të kalonte Hungarinë për në gjysmëfinale. Vendasit do të mposhtnin kampionët aktual të Evropës, Bashkimin Sovjetik të cilët kishin ardhur si favoritë për të fituar këtë Kupë të Botës. Sovjetikët, me portierin legjendar Lev Yashin në përbërje, nuk e kishin nisur mbarë këtë Kupë, duke lëshuar epërsinë 4-1 ndaj Kolumbisë në njëzet e pesë minutat e fundit, për njërin nga kthimet më të mëdha në historinë e Kupës së Botës deri atëherë. Debutuesit kishin barazuar ndeshjen në 4-4 duke marrë pikën e vetme në këtë garë.
BETEJA E SANTIAGOS ME NDËRHYRJE POLICORE
Përkundër luftës në fushë, vetëm dy italianë ishin përjashtuar në ndeshjen e dytë të grupit B, kur azurët ndesheshin me Kilin. ‘Beteja e Santiagos’ kishte devijuar deri në atë masë sa që policia kishte ndërhyrë të qetësonte situatën ndërmjet futbollistëve në fushë. Futbollisti kilian, Sanchez kishte goditur italianin Maschio duke i thyer hundën këtij të fundit, në ndeshjen e cila ishte e mbushur me ndërhyrje të shfrenuara, goditje të pastra sikur ndeshje boksi, dhe kacafytje verbale. Në fund, ishin policia që kishin përcjellë të dy ekipet jashtë fushës.
Kilianët do të binin në gjysmëfinale duke mos ia dalë të ndalonin Garrinchën dhe Vavan të cilët do të shënonin nga dy herë në fitoren 4-2, për të kthyer Brazilin në finale. Garrincha ishte përjashtuar në fund të ndeshjes, por FIFA kishte larguar dënimin e tij.
TERMETI, QË SHKATËRROI VENDIN
FIFA kishte vendosur që Kili të organizonte Kupën e Botës pas protestave të federatave amerikane ndaj organizimeve të vazhdueshme në Evropë – Italia, Franca, Zvicra, Suedia kishin organizuar katër Kupa të Botës nga pesë të fundit pas Uruguait. Për të bërë një lojë korrekte, FIFA kishte inkurajuar Kilin të konkurronte për organizim sa për të mos lënë Argjentinën e vetme. Gjermanisë Perëndimre i ishte kërkuar të hiqte dorë.
Në vitin 1960, më 22 maj në jug të Santiagos, në Valdivia kishte ndodhur tërmeti 9.4 - 9.6 shkallë, me kohëzgjatje prej dhjetë minutave. Të dridhurat dhe cunami ishin ndjerë deri në dhjetë mijë kilometra nga epiqendra e tërmetit, deri në Filipine, Zelandë të Re, Australi, Japoni, e Havai. Sa për krahasim, tërmeti më i madh me epiqendër në Kosovë ka ndodhur në vitin 2002 në shkallë 5.7, me thellësi 10km për dallim prej 37km në Valdivia.
Shifra nga 490 deri në 5700 mijë të vdekurve rezultojnë, pasi nuk është bërë një ndarje ndërmjet viktimave të cunamit dhe tërmetit. Dyqind mijë ndërtesa ishin shkatërruar në Valparaiso, gjersa 130 mijë tjera nëpër Kili duke lënë pa strehë dy milion veta. Një vend me dëme materiale në 800 milion dollarë që konvertuar sot do të vlenin 6 miliard dollarë, e kishte të vështirë të organizonte një Kupë të Botës.
FITUESI
FIFA do të shqyrtonte të zgjidhte Argjentinë, apo edhe ndonjë vend tjetër, por, Carlos Dittborn, presidenti i Federatës Kiliane të futbollit, “Ne nuk kemi asgjë – për këtë arsye duhet të organizojmë Kupën e Botës” u ishte përgjëruar komitetit përzgjedhës të FIFA-s. Stadiume të reja, pasioni për futbollin, kishin bërë një komb të tërë të nis procesin e rigjenerimit, rilindjes popullore.
Rilindja do të kulmonte një ditë para datës 17 qershor, kur vendasit me golin e shënuar në fund të ndeshjes do të fitonin medaljen e vetme në Kupën e Botës, duke mposhtur Jugosllavinë. Të nesërmen, në finale Amarildo, Zito e Vava do të fundosnin Çekosllovakinë e Jozef Masopustit (kah fundi i vitit do të mësoni më shumë për të