MIQËSORET E ITALISË

Foto: NazionaleCalcio/fb
Mancini, 3 miqësore - 3 rezultate të ndryshme
5 June, 2018 @8:09
Italia mbrëmë ka zhvilluar edhe miqësoren e tretë dhe të fundit në kuadër të datave të lira të FIFAs para Kampionatit Botëror Rusia 2018.
Vetë azzurrët nuk janë kualifikuar në Botëror, ndërsa selektori i ri i tyre, Roberto Mancini ka arritur që të merr të tre rezultatet në tre miqësoret e fundit.
Pas fitores ndaj Arabisë Saudite më 28 maj (2-1, Balotelli 21’, Belotti 68’ - 72’ Al Shehri) dhe humbjes nga Franca 3-1 më 1 qershor (Umtiti 8’, Griezmann 29’, Dembele 63’ - Bonucci 36’) italianët kanë barazuar me një ekip që nuk ka arritur Botërorin.
Epërsinë e fituar nga Simone Zaza (67’, 1-0) mbrëmë, pas kartonit të kuq të Domenico Criscitos (69’), e ka anuluar zëvendësuesi i Holandës, Nathan Ake, me golin e shënuar 2 minuta para fundit të takimit, 1-1.
Në përgjithësi, italianët kanë marrë sinjale pozitive nga loja e Mancinit me ekipin dhe kështu presin që pas zhgënjimit të madh me moskualifikim për në Botëror, të nisin mbarë ciklin e parë të Ligës së Kombeve, në shtator të kësaj vere.