FINALJA E EUROPA LEAGUE
Penalltitë e portierëve vendosin, Villarreal fiton Europa League
26 May, 2021 @23:58
Villarreal i drejtuar nga Unai Emery ka fituar trofeun e parë evropian në histori të klubit, duke fituar në finale të Europa League Manchester Unitedin, pas ekzekutimit të penalltive.
Bile, edhe penalltitë kanë shkuar deri në shterrje, pasi që vetëm seria e 11 e tyre ka vendosur për fituesin, pasi që më parë, 10 herë shënuan lojtarët e ekipit spanjoll dhe 10 herë lojtarët e ekipit anglez, për të ardhur te triumfuesi vetëm kur portieri i Villarealit Rulli shënoi për 11-10, ndërsa David de Gea i Unitedit, pa shutin e tij të mbrojtur nga Rulli.
Villarreal përkundër se u tregua i matur në lojë dhe kishte një rast konkret, atë e shndërroi në gol. Në anën tjetër sulmet e Manchester Unitedit ishin dukshëm më të shumta si dhe dominimi, por vetëm një herë arritën për të shënuar. Kjo bëri që pas 90-minutave lojë dhe rezultatit 1-1 [Moreno 29 - Cavani 55] ndeshja të shkonte në vazhdime.
Në vazhdime, s’kishte gola, edhe pse në një rast futbollisti i Manchester Unitedit Fred preku topin me dorë në zonë, por pas rishikimit në VAR, nuk u akordua penallti. E kur fituesi nuk u gjet as pas 120-minutave lojë, në shprehje erdhën penalltitë.
Të gjithë shënuan radhazi derisa erdhi radha te portierët, ku ai i Villarrealit doli më i mirë se De Gea, për t’ia sjellë skuadrës së tij trofeun e parë të Europa League në histori, ndërsa për trajnerin Emery, të katërtin. Me këtë, Ole Gunnar Solskajer, trajner i Djajve të Kuq, vazhdon të mbetet pa trofe me ekipin e tij, përkundër se yjet dhe investimet nuk po mungojnë.