DITARI NR. 11 @ EURO2016
Perfeksionimi i Gareth Bale
21 June, 2016 @8:02
VAJI RUS
Interesante ishte të shihnim një fans rus të qante. Pas gjithë atyre rusëve të depërtuar e nëpër burgje, regjisori vendosi të sillte një fans më ndryshe. Megjithatë nuk i kanë punët për të qarë. Rusia ka një ekip të talentuar të cilët mund të jenë në gati për çerekfinalet e Botërorit pas dy viteve. Vetëm ju duhet Slutsky dhe rinim i mbrojtjes. Mesfusha e sulmi kanë marr goxha një përvojë të mirë.
PERFEKSIONI I BALE’it
Përvojë të mirë kanë marr edhe krejt ekipi i Uellsit. Mbrëmë pamë një Uells dominues, një Uells që luajti pa dorëza. Të shihje Uellsin të sulmonte ashtu pas dy ndeshjeve goxha të ngurtësuara ishte befasi e këndshme. Janë ekip i mirë, kanë për lider njërin nga më të mirët në botë. Gareth Bale po tregon ato ditët e tij dominuese nga koha e Spurs pas qëndrimit në hije të Cristianos këto vite. Sikur Ramsey të ishte më pak i çoroditur në fushë – diçka që shfaq edhe tek Arsenali, Uellsi do të ishte shumë më vrastar në sulm. Mbrojtja ka qenë shumë më e mirë se nga ndeshja me Anglinë dhe është rikuperuar në momentin më të mirë. Mesfusha nuk ka mbetur mbrapa sidomos me angazhimin e krahëve.
GJYNAHU ANGLEZ
Anglia është për gjynah. Dhe faji është vetëm tek Roy Hodgson. Dhe atë ka filluar qysh para nisjes së këtij kampionati duke lënë jashtë Drinkwater, Townsend dhe emra të tjerë në formë e që kanë kaluar më shumë kohë në fushë se sa më shumë se gjysma e përbërjes ofensive. Wilshere, Henderson, Sturridge nuk janë të këqij. Nuk janë të dobët, por duhet të kuptojmë që nevojitet kohë për tu rikuperuar. Dhe kjo kohë nuk është tani, e aq më pak kombëtarja e Anglisë. As Rooney nuk është në formë me pozitën ku po detyrohet të luaj, e Lallana në krahë?! Seriozisht?! Nuk janë të detyruar të luajnë me qendërsulmues e dy krahë vetëm pse është në trend. Anglia nuk ka krahë më shumë se 10sh në Rooney e dyshe qendërsulmuese në Vardy e Kane. Po të mos ishte Leicester kampion, Hodgson s’do të ftonte as Vardyn, ngjashëm siç ka lënë jashtë Drinkwaterin. Është vonë për Anglinë për të rehatuar ekipin. Ky kampionat ka përfunduar dhe mbetet të shohim se me kë do të luajnë pasi s’mendoj që do të mbesim ne në pozitën që jemi tani si kombëtare.
KOMBINIMET KUQEZI, SOT
Fitore prej katër golash e Gjermanisë dhe barazim i Turqisë me Çekinë na nevojiten sot. Edhe fitorja e Turqisë me vetëm një gol diferencë kryen punë. Njëra duhet të ndodh. Përndryshe kampionati për neve përfundon. Sidoqoftë kemi bërë punë të shkëlqyeshme!
Nuk janë të pamundura, pasi që Gjermania nuk është si Anglia, pos nëse luajnë me 9sh fals përsëri. Në fakt mendoj që Irlanda Veriore edhe mund të befasoj gjermanët. Polonia mund të përfundoj në pozitën e parë. Nëse arrijnë të shënojnë mund ti shohim deri në katër të fundit. Nëse asgjë, interesante do të jetë të shohim dy nga mesfushat më të mira në Evropë sonte. Kroatëve nëse s’gaboj ju mungon Modric, por kanë Kovacicin që mund ta zëvendësoj e edhe Rakitic është në formë të mahnitshme. Tek spanjollët Iniesta për momentin po le në hije të tjerët.