KUPA E KOSOVËS: PRISHTINA 3-0 DRENICA
Prishtina drejt finales
2 June, 2020 @19:59
Prishtina ka arritur që të shënojë fitore bindëse në përballjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Drenicës 3-0 [Ahmed Januzi 28, 44, Meriton Korenica 89].
Bardhekaltërit kanë qenë më të mirë përgjatë pjesës më të madhe të takimit, derisa kanë dominuar plotësisht në pjesë të parë të lojës kur edhe shënuan dy herë përmes Ahmed Januzit me përvojë për të mbyllur gjysmën e lojës 2-0.
Januzi njëherë u asistua nga Oto John, të dytën herë nga Armend Thaqi.
Në pjesë të dytë Drenica disi u këndell, por djelmoshat e Gani Sejdiut dështuan në rastin më të mirë të tyre për të shpresuar në finale, kur Hasan Hyseni nuk shfrytëzoi mundësinë nga pika e bardhë për të ulur epërsinë në 2-1 dhe për të dhënë golin e vlefshëm si mysafir.
Ndër më të dalluarit te Drenica në pjesë të dytë ka qenë portieri Arion Ymeri, që ka shpëtuar disa raste dhe ka shpëtuar ekipin nga humbja më e thellë.
E dështimi i Hysenit në këtë rast, i kushtoi edhe më drenicakëve, të cilët pak para fundit të ndeshjes pësuan golin e tretë nga Meriton Korenica, që u asistuar nga Gauthier Mankenda për përfundimtaren 3-0.
Me këtë fitore Prishtina ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës, fituesi i së cilës siguron parakualifikimet për Europa Ligë.
Në anën tjetër, Drenica duhet të shpresojë në mrekulli në përballjen e kthimit për të kërkuar finalen.
Ndeshja e kthimit luhet më 17 qershor në Bajram Aliu të Skënderajt.