PRISHTINA - LLAPI
Prishtina mposht Llapin, vazhdon ndjekjen e kreut
29 April, 2018 @18:02
Një fitore shumë të madhe e ka shënuar sot Prishtina ndaj Llapit, fitore e cila bën që kjo skuadër të mbetet akoma në luftë për titullin kampion.
Përkundër rëndësisë së madhe, ky takim u përcoll nga më pak se 100 të pranishëm, mirëpo kjo nuk ndikoi në rrjedhën e lojës, e cila ishte fantastike.
Ndeshja filloi furishëm nga të dyja palët. Ahmed Januzi i vendasve shënoi me kokë për 1-0 që në minutën e parë, ndërsa mysafirët reguan shpejt, me Mentor Zhdrellën që realizoi për 1-1, për të dhënë shenja të hershme që na priste një lojë e mirë.
15 minuta pas barazimit të llapjanëve, Arbër Hoxha e riktheu përsëri Prishtinën në epërsi, epërsi e cila u rrit përsëri nga Ahmed Januzi, autori i golit të parë, i cili shënoi për 3-1 në minutën e 32’, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, llapjanët e ngushtuan epërsinë përmes Altin Merlakut 2 minuta para fundit të kohës së rregullt, mirëpo për ndonjë befasi eventuale ishte vonë dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Prishtinës.
Përkundër fitores, Prishtina mbetet edhe më tutje 3 pikë larg Dritës lidere, kurse Llapi momentalisht gjendet në vendin e katërt.