KOMISIONI PËR ANKESA

Foto: FCBallkani/fb
Refuzohet ankesa e Ballkanit
29 September, 2021 @9:37
Skuadra e Ballkanit ishte ankuar në dënimin me gjobë prej 1 mijë e 500 euro dhënë nga KD i FFK-së për shkak të lëshimit në organizimin e ndeshjes që i takonte xhiros së pestë, Ballkani-Llapi.
Mirëpo, Komisioni për Ankesa (shkalla e dytë) pas shqyrtimit të të gjitha provave shtesë ka konstatuar se vendimi i Komisionit Disiplinor (shkalla e parë) është i drejtë dhe mbetet në fuqi.
Ballkani kishte marrë gjobë prej 1 mijë e 500 euro për shkak të mos respektimit të masave anti-Covid-19, derisa fillimi i pjesës së dytë ishte vonuar për 23 minuta, kurse kishte edhe sharje në kor ndaj kryetrajnerit të Llapit [Tahir Batatina] nga publiku vendas, hedhje të shisheve plastike drejt bankës së mysafirëve.
Në arsyetimin e KA-së, nënshkruar nga kryetari Sitki Baftiu dhe anëtarët Remzi Azemi e Dren Paca, thuhet:
Komisioni për Ankesa si organ i shkallës së dytë me rastin e shqyrtimit të ankesës së ushtruar nga FC “ Ballkani “, nga ana e palës së ankimuar lidhur me rastin e apostrofuar, Komisioni mori për bazë raportet dhe provat e ofruara nga shërbimit administrativ i Federatës së Futbollit të Kosovës, të Komisionit të Garave, protokollin e ndeshjes, po ashtu edhe raportet e zyrtarëve –delegatit dhe shkresat tjera plotësuese dhe nga të njëjtat konstatoj se Komisioni Disiplinor i shkallës së parë ka vepruara drejt dhe me përpikëri në zbatimin e dispozitave juridike nga neni 39 paragrafi 3 i Rregullores disiplinore. Këshilla Juridike: Pala e pakënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës në mbrojtje të Rregullores (ligjshmërisë në afatin kohor prej tetë ditëve nga data e pranimit të këtij vendimi).
Përndryshe, Ballkani është skuadra e vetme pa humbje në Superligë pas gjashtë xhirove të zhvilluara dhe kap vendin e parë në tabelë.
Drejtuar nga gjilanasi Bekim Isufi, skuadra suharekase është duke kërkuar të çojë kësaj radhe luftën për titull deri në xhiron e fundit të stinorit.
Ballkani sot pret Feronikelin në Suharekë.