DRITA 4-1 DRENICA
Rexha në formë, Drita lidere pret gabimin e rivalëve
28 February, 2020 @15:06
Kastriot Rexha ka vazhduar me atë që e di më së miri. Pas golit vendimtar në fitoren e xhiros së kaluar, ai ka shënuar dy herë sot në pjesë e parë të ndeshjes, për ta rikthyer përsëri Dritën në krye të tabelës.
Prishtinasi ka shënuar dy golat e para të ekipit, për tu pasuar pastaj edhe nga Betim Haxhimusa, derisa në fillim të pjesës së dytë trajneri Ardian Nuhiu e zëvendësoi makinën e golave.
Në një mot jo të mirë, Drita arriti ta mbyll xhiron me fitore, duke e mposhtur Drenicën me rezultat 4-1 [Rexha 8, 21, Haxhimusa 30, Emini 90 - Shillova 61].
RRJEDHA E GOLAVE
Goli i parë në ndeshje erdhi nga sulmuesi në formë Kastriot Rexha në minutën e 8’, pas një harkimi të Xhevdet Shabanit. Rexha e dyfishoi epërsinë në minutën e 21’, kësaj radhe asistuesi ishte Erjon Vuçaj.
Në minutën e 30’, Drita e trefishoi epërsinë përmes Betim Haxhimusës dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, goli i Drenicës erdhi në minutën e 61’, kur Alban Shillova shënoi me kokë. E krejt në fund, Izair Emini i futur në pjesë të dytë vulosi epilogun e takimit duke shënuar për 4-1 përfundimtare në kohën shtesë, 90’+3.
Drita me këtë fitore ngritet në krye të tabelës dhe pret gabimin e skuadrave përcjellëse në derbin Prishtina-Ballkani.
Gjilanasit kanë 43 pikë për momentin, ndërsa Ballkani e Prishtina që luajnë nesër në Fadil Vokrri kanë 40, përkatësisht 37 sosh.
GOLEADORI
Përndryshe Kastriot Rexha tashmë ngritet në kuotën e 8 golave të shënuara këtë stinor duke qëndruar menjëherë pas liderëve Blendi Baftiu e Arb Manaj. Rexha tashmë në tre ndeshje të stinorit pranveror prej se erdhi te Drita ka shënuar po aq gola.