NË DERBI

Rikthehen rrahjet: Përplasje në derbin e Ligës së Dytë
17 April, 2021 @19:02
Derbi i xhiros së XXIV të Ligës së Dytë të Kosovës në futboll, ndërmjet Fushë Kosovës lidere dhe Vjosës ndjekëse nuk ka parë fundin e takimit në kohë të rregullt.
Kjo, pasi që ndeshja u ndërpre për shkak të një incidenti që çoi në përplasje mes futbollistëve dhe më tepër të skuadrave nga Fushë Kosova dhe Shtimja.
Për momentin, arsyeja thuhet të jetë goli i mysafirëve, pasi që vendasit kishin kaluar në avantazh prej penalltisë. E mysafirët derisa vendasit po festonin, kishin shënuar menjëherë për 1-1, e ky gol çoi në krizë... Mirëpo, TopSporti.com nuk ka mundur të konfirmojë këto të dhëna ende.
Pritet gjithashtu raporti zyrtar i referëve, delegatit si dhe të skuadrave pjesëmarrëse…
Më pas, në raportin e ndeshjes është thënë që ekipi mysafir është tërhequr nga ndeshja për shkak të pretendimeve se janë sulmuar nga vendasit dhe tifozët e pranishëm.
Përndryshe, Fushë Kosova lidere ka 60 pikë, ndërsa Vjosa është e katërta dhe me fitore do të dilte në pozitë të dytë - që siguron Ligën e Parë. Ekipi nga Shtimja para ndeshjes ka pasur 52 pikë, një më pak se Rahoveci dhe dy më pak se Bashkimi i Koretinit.
LIGAeDYTË:
1. Fushe Kosova 60p
2. Bashkimi Koretin 54p
3. Rahoveci 53p
4. Vjosa 52p.
5. Behari 37p.