KOMBËTARJA
Shqipëria - Jordania, statistika e të dhëna
10 October, 2018 @12:00
Kombëtarja e Shqipërisë për herë të parë ndeshet me Jordaninë në një takim zyrtar. Me përfaqësueset Lindjes së Afërt, Shqipëria pos tri ndeshjeve me Izraelin, në të cilat ka dy fitore dhe një humbje, është ndeshur vetëm edhe me Katarin ndaj të cilëve ka dy fitore në dy ndeshje.
LIGA E KOMBEVE - GRUPET DHE ORARI
Për Shqipërinë kjo do të jetë ndeshja e 323-të, në kërkim të fitores së 80. Deri më tani, Shqipëria ka 67 barazime dhe 176 humbje me golaverazh 285-511.
Gjatë këtij viti, kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar vetëm një fitore karshi katër humbjeve. Në mesin e këtyre humbjeve, tri kanë ardhur në të tri ndeshjet miqësore ku ndaj Norvegjisë, Kosovës, e Ukrainës, Shqipëria ka shënuar vetëm një gol duke pranuar tetë.
Thomas Strakosha ka siguruar pozitën e gardianit të portës, me mbrojtjen e cila ka qenë e pandryshuar me Veselin, Xhimshitin, e Hysajn. Në vjeshtë, Mavraj ka humbur pozitën nga Egzon Binaku. Mbrojtësi i majtë i Malmos ka qenë në lojë nga fillimi në dy takimet e fundit.
Mesfusha mbetet reparti më jostabil, me Panuccin i cili ka kthyer përvojën e Lilës, Bashës, e Memushajt duke i alternuar gjatë ndeshjeve të shtatorit. Bashkë me ta, për këtë repart është përkujdesur edhe Xhaka, i cili ka shënuar njërin nga dy golat për Shqipërinë gjatë vitit 2018. Goli tjetër ka ardhur nga Emanuele Ndoj në humbjen kundër Ukrainës.
Lëndimi i Sadikut ka bërë që pesë veta të provojnë të gjejnë golin gjatë këtij viti në sulm. Asnjëri nuk ia ka dalë deri më tani.
Debutuesit
Për këtë arsye, Panucci pas vetëm një ndeshje me të rinjtë, tek Kombëtarja A ka ftuar Giacomo Vrionin e Venezias. I inkuadruar në tri ndeshje këtë sezon në Serie B, Vrioni nuk ka shënuar asnjë gol. Në mesin e debutuesve tjerë në Kombëtare është edhe Myrto Uzuni. Bashkëlojtari i Lirim Kastratit tek Lokomotiva e Zagrebit, Uzuni, ka shënuar një gol duke asistuar në tre tjerë pas transferimit nga Laçi në fund të gushtit.
Debutuesi tjetër për Shqipërinë është Egli Kaja, i cili ka gjetur hapësirë tek Livingston në ndeshjet e para të sezonit para se të zhvendoset në bankën rezervë. I ardhuri tjetër tek kombëtarja e Shqipërisë këtë tetor është Kastriot Dërmaku i cili muajin e kaluar ishte grumbulluar me Kosovën.
Shqipëria ndeshet me Jordaninë në Elbasan Arena, të mërkurën në ora 20:00. Ndeshja në kuadër të Ligës së Kombeve me Izraelin, zhvillohet të dielën në ora 20:45, në stadiumin Yaakov Turner Toto në Beer-Sheva.