NË PRITJE TË VENDIMIT
Sot Komisioni vendos për Flamurtari-Vëllaznimi
23 October, 2017 @10:55
Ndeshja e ndërprerë ndërmjet Flamurtarit dhe Vëllaznimit të premten më 20 tetor, pritet të marrë epilogun sot, pas mbledhjes që do ta mbajë Komisioni i Garave të Superligës së Kosovës në futboll.
Së paku kështu pat njoftuar vetë FFK-ja në lajmin e botuar të premten, ku ka shkruar se “për këtë ndeshje KG do të marrë vendim në mbledhjen që do ta mbajë të hënën, pas grumbullimit të të gjitha materialeve.”
Ndeshja Flamurtari - Vëllaznimi ishte ndërprerë nga referi i takimit pasi që tifozët vendas goditën dhe u vërsulën drejt lojtarëve të ekipit gjakovar.
Flamurtari kishte marrë epërsinë 1-0 në fillim të takimit, ndërsa Vëllaznimi kishte barazuar në minutën e fundit të ndeshjes, kur portieri i tyre, Altik Muhaxhiri kishte shënuar për të barazuar rezultatin, ndërsa gjatë festës së golit, ndodhi sulmi.